Firmoset marrëveshja mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë për gazsjellësin TAP. Mesditën e sotme, zv/kryeministri dhe ministrit i Ekonomisë e Energjetikës, Edmond Haxhinasto është takuar me homologët e tij italianë dhe grekë. Të tre ministrat nënshkruan marrëveshjen, duke i hapur rrugën në këtë mënyrë bashkëpunimit mes tre shteteve për këtë projekt të rëndësishëm.
Ndërkaq gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kryeministri Berisha ka përshëndetur këtë marrëveshje duke e cilësuar atë si shumë të rëndësishme për vendin tonë dhe gjithë rajonin.
“Marrëveshje kjo e një rëndësie të jashtëzakonshme, marrëveshja e parë e këtij lloji mes tre vendeve të rajonit. Marrëveshja e cila pas konkretizimit të projektit përfitojnë dhe shumë qytetarë shqiptarë me procesi e gazifikimit të vendit nga furnizimi me energji për ngrohje dhe gatim me çmime shumë më të ulëta se sa çmimet e tanishme. Potenciali energjetik i vendit shumëfishohet, rëndësia nevralgjike e tij e bën Shqipërinë të jetë një qendër e shpërndarjes së gazit për Ballkanin e veriut”, tha Berisha.
13 shkurt 2013 (gazeta-Shqip)