Trupi i “gruas më të shëmtuar në botë” kthehet në atdhe
Trupi i një gruaje, që është cilësuar si më e shëmtuara në botë, pasi një sëmundje e rrallë bënte që ajo ta kishte trupin të mbuluar me qime, më në fund është kthyer në vendlindjen e saj në Meksikë për një varrim të përshtatshëm, 153 vite pas vdekjes.
Julia Pastrana ishte shfrytëzuar barbarisht, duke u ekspozuar nëpër Europë derisa vdiq në vitin 1860.
Por edhe pas vdekjes, trupi i saj vazhdoi të ekspozohej nëpër botë.
Në fund trupi i saj përfundoi në një bodrum në një institut kërkimor në Oslo. Pasi mësoi për historinë e saj, artistja Laura Anderson Barbata bëri një fushatë që trupi i saj të kthehej në atdhe për një funeral të përshtatshëm.
“Ndjeja se ajo e meritonte që t’i rikthehej dinjiteti dhe vendi i saj në histori dhe në memorien botërore,” tha Barbata.
Pastrana lindi në Meksikë në vitin 1834 dhe vuante nga sindromi që bënte që lëkura e saj të mbulohej me qime.
Ajo po ashtu vuante nga një problem i quajtur hiperplasia, që bënte që buzët dhe mishrat e dhëmbëve të ishin të trasha.
Në vitin 1854, ajo u ble nga një administrator doganash në Meksikë, që nisi ta ekspozonte atë në SHBA e Kanada.
Kur ishte në Nju Jork, ajo u martua me Theodore Lent, që u bë menaxheri i saj.
Historianët besojnë se ndërsa ajo e dashuronte Lent, ai u martua me të vetëm për të kontrolluar fitimet që vinin nga ajo.
Lent e ekspozoi gruan e tij, që e quante “gruaja- ari” në mbarë Europën.
Mjekët në atë kohë thoshin se ajo kishte lindur nga kryqëzimi me një orangutang.
Por ajo ishte një grua që thuhet se kishte shije për këngën, muzikën, kërcimin dhe gjuhët e huaja. Po ashtu ishte shumë bujare.
Në vitin 1859, ajo mbeti shtatzënë, por edhe i biri e trashëgoi sëmundjen dhe vdiq pak orë pas lindjes.
Edhe Pastrana vdiq pesë ditë pas lindjes, në moshën 26- vjeçare.
I shoqi nuk u ndal dhe ia balsamosi trupin dhe vazhdoi ta ekspozonte.