Planeti mund të shndërrohet në ferr
Njerëzit për pak vite mund të "zgjohen" në botën që nuk e njohin, të rrezikshme e të vështirë për jetë, paralajmërojnë shkencëtarët, në një raport të OKB-së.
Njerëzimi ka pak vite për të ndalë pasojat katastrofike të ndryshimeve klimatike, që do të sjellin kushte ekstreme të motit dhe do të bëjnë pjesë të ndryshme të botës të jenë të pamundshme për jetesë.
Raporti i përpiluar në 772 faqe thotë se emetimet e gazeve serë, nëse nuk ndalen, do të rrisin nivelin e deteve dhe do të shkaktojnë ndryshime në temperaturë që do të ndikojnë në jetët e njerëzve dhe në ekosisteme, transmeton Telegrafi.
Ndryshimet klimatike që po ndodhin kërcënojnë përhapjen e sëmundjeve të ndryshme në Afrikë, dëme materiale dhe humbje jete për shkak të zjarreve në Amerikën e Veriut dhe rënie në prodhimin dhe cilësinë e ushqimit në Amerikën e Jugut.
Shkencëtarët thonë se ky raport i OKB-së është paralajmërimi më serioz për botën. Njerëzimi është shumë afër momentit kur gjithçka do të jetë vonë e kur temperatura mesatare - që nga kohërat para-industriale - do të rritet me dy gradë celsius.
Nëse kalohet ky kufi, do të ballafaqohemi me pasoja të tmerrshme. Ndërsa, nëse temperatura rritet për katër gradë, siç parashikohet, do të ketë ndryshime drastike në bujqësi.
Përveç energjisë së pastër, njerëzimi duhet të investojë edhe në pasojat e ndryshimit të klimës. Kështu, disa komunitet duhet menjëherë të shkojnë në zonat më pak të rrezikshme dhe duhet të forcohen shërbimet për mbështetje, veçanërisht në shoqëritë e varfra. Ndërsa, problem i veçantë është fakti se në disa pjesë të botës mungon ushqimi dhe uji, e me ndryshimet klimatike shumë zona do të bëhen më të nxehta e më të thata.