I ndaluar nga policia për rrëmbimin e vogëlushit 10 vjeçar A.Cani, 45 vjeçari nga Librazhdi Ardian Përrenjasi ka pranuar se krahas këtij rasti ka kryer një tjetër krim makabër.
Në dëshminë e tij në polici Përrrenjasi ka pranuar se krahas rrëmbimit dhe pedofilisë me Canin, ka qenë ai që ka rrëmbyer vogëlushin e zhdukur në Laprakë gjatë muajit nëntor Julian Çela, djalin e nëndrejtorit të antiterrorit në SHISH, Skënder Çela, dhe më pas i ka marrë jetën.
Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit i thanë infoshqip.al se 45 vjeçari i njohur si maniak ka pranuar se ka vrarë në banesën e tij 11 vjeçarin Julian Çela, vetëm pak orë pasi i mituri humbi kontaktet me familjarët.
Çela u shpall në kërkim edhe nga Interpol, pasi rezultonte i zhdukur qysh më 30 nëntor pa gjurmë, ndërsa ende nuk dihet se ku ndodhet trupi i tij.
Por për identifikimin e autorit të vrasjes së të miturit, shërbeu rrëmbimi i 10 vjeçarit Cani, i cili u gjet në banesën e Përrenjasit në zonën e Laprakës, i dhunuar dhe i abuzuar seksualisht pak pas mesditës së sotme.
Ishin dyshimet e të afërmve dhe banorëve të lagjes ajo që çoi policinë drejt kontrollit në banesën e 45 vjeçarit, pasi ky i fundit edhe pse i ri me banim në zonë afrohej me fëmijët dhe i urdhëronte për veprime të ndryshme.
Denoncimi për zhdukjen e fëmijës vetëm 10 vjeç me iniciale A. Cani u bë në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nga familjarët, pasi vogëlushi nuk po kthehej në shtëpi.
Pas dyshimeve dhe informacioneve të policisë u bë kontrolli në banesën e Përrenjasit, i cili dyshohet se ka kryer me të miturin veprime të turpshme si dhe ka abuzuar seksualisht me të, pasi në trupin e të miturit janë gjetur shenja dhune.
Nga ana e policisë thuhet se në banesën e 45 vjeçarit baba i 3 fëmijëve i divorcuar por që bashkëjetonte me një grua u gjetën edhe gjurmë nga veshjet e Julianit. Pak momente më vonë pritet konfirmimi zyrtar nga policia nëpërmjet një konference të posaçme për kriminelin e paprecedentë.a.y/noa