Vazhdojnë rastet e dhunës ndaj shqiptarëve në Shkup të Maqedonisë. Në rastin e fundit të dhunës, një 16-vjeçare shqiptare ka qenë viktima e agresionit të dy personave të maskuar që i kanë shkaktuar plagë të rënda në kokë dhe pjesë të tjera të trupit.
Mediat shqiptare në Maqedoni shkruajnë se vajza është sulmuar në afërsi të shkollës “Dimitar Vllahov”. Ajo goditur me grushta, ndërkohë që në fytyrë ka marrë një plagë të rëndë nga një goditje me thikë.
Rasti në fjalë konfirmohet edhe nga Ministria e Brendshme në Shkup. Zëdhënësi Ivo Kotevski tha se vajza ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe se policia po punon për gjetjen e autorëve të sulmit barbar.
Disa ditë më parë, një grup nxënësish shqiptarë u sulmuan barbarisht nga një turmë ekstremistësh maqedonas, nga ku një 13-vjeçar mori plagë të rënda. Rasti në fjalë dhe disa incidente të tjera të rëndë në kryeqytetin maqedonas, ku viktima kanë qenë fëmijët shqiptarë, kanë rritur tensionet në vend.
Të shtunën shqiptarët të organizuar nga rrjetet sociale dolën në rrugët e Shkupit për të protestuar kundër rasteve të dhunës ndaj tyre. Protesta nisi paqësore, por të provokuar nga prania e madhe e forcave të sigurisë, manifestuesit hodhën gurë ndaj policisë dhe dogjën një autobus.