Një automjet përfundoi në lumin Shkumbin mesditen e sotme në zonën e kthesave të Murrashit në aksin rrugor Elbasan-Librazhd.
Pas njoftimit nga ana e dëshmitarëve në vendin e ngjarjes ka shkuar policia, e cila e gjeti mjetin në ujë rreth 4 kilometra larg vendit ku janë shenjat e daljes së mjetit nga rruga.
Pak orë pas mesditës, është bërë e mundur nxjerrja e automjetit dhe identifikimi i tij me targa AA 655 GB. Megjithatë, ende nuk është identifikuar se kujt i përket ky automjet pasi në makinë nuk u gjet asnjë dokumentacion tjetër.
Në automjet dyshohet se ndodheshin 3 persona në momentin e aksidentit. Personat që ndodheshin brenda në mjet mendohet se janë rrëmbyer nga rrjedha e fortë ujit gjatë përpjekjeve të tyre për të dalë jashtë.
Sipas policisë vendi ku ka ndodhur aksidenti është një zonë ku shpejtësia duhet të jetë shumë e vogël për shkak të lagështisë në rrugë dhe kthesave shumë të forta.