Aurora Molla, një nga viktimat e aksidentit tragjik të ditës së hënës është varrosur një ditë me vonesë, pasi prindërit kanë dashur të përmbushin amenatin e saj. Sikur ta parandjente ajo i kishte thënë së jëmës se do të vinte në shtëpi edhe e vdekur për të festuar ditëlindjen e të fejuarit të saj, Erjon Maxhari, më 23 maj. Ky i fundit nuk është përmbajtur në ceremoninë e varrimi por i ka rënë disa herë të fikët. “Nuk mund të festohet në asnjë mënyrë më keq sesa sot ditëlindja ime,” është shprehur ai për një të përditshme.
Ndërsa daja i Aurorës, Lutfi Muçka, tregon se ajo i kishte dhënë një fletore me poezi për ta lexuar. “Ishte e talentuar …Më ka ngelur peng që nuk ia botova poezitë përpara vdekjes.” Më pas ai citon një nga poezitë e saj që duket se flet shumë:
Tani o botë më uro gjumë të ëmbël,
Se do të fle e qetë larg njerëzve,
Hipokritë e llafazanë,
Dhe më duhet të pres të papriturën,
E aq shumëpritur,
Pa e kthyer asnjëherë kokën mbrapa….
/albobserver/