Pep Guardiola, trajneri i Barcelonës, ka theksuar në konferencën e shtypit para Klasikes së radhës së futbollit spanjoll se tifozët katalanas duhet të “lënë të qetë Pepen”.
“Nëse do të përjetojmë të njëjtën situatë si me Figon do të thotë që nuk kemi mësuar asgjë dhe do të japim një imazh që nuk na ka hije. Është vetëm një lojë. Nëse Pepe do të pritet siç u prit Figo, atëherë do të trishtohem shumë. Ta lëmë të qetë Pepen!”, deklaroi Guardiola.
“Përballë do të kemi një skuadër të madhe si Real Madrid dhe jo Pepen apo Mourinhon. Dua që tifozët të vijnë në stadium pa paragjykime dhe të shijojnë një ndeshje të madhe futbolli”, shtoi tekniku katalanas.
Përsa i përket eliminatores, ndeshjen e parë të së cilës Barcelona e ka fituar 1-2 në fushën kundërshtare, Guardiola u shpreh: “Nuk duhet të mendojmë se jemi kualifikuar për në gjysmëfinale. Do të ndeshemi ndaj një klubi që është mësuar me fitore gjatë historisë së tij dhe mund të na eliminojë. Është rivali më i fortë që mund të ndeshemi, duhet ta kemi të qartë këtë.”
Ndeshja Barcelona-Real Madrid do të luhet të mërkurën në orën 22.00 dhe do të transmetohet direkt nga paketa Supersport, në Digitalb.