Një djalosh 11 vjeçar propozon plan për shpëtimin e euros
Një djalosh 11 vjeçar është përgëzuar për planin që kishte propozuar për shpëtimin e eurozonës. Plani është një nga qindra propozime që kanë ardhur në kuadër të çmimit Wolfson Economics. Lordi Wolfson bëri thirrje para disa kohësh që secili të ofrojë ide se si mund të dalë Greqia nga eurozona. Ideja më e mirë se si një shtet mund të falimentojë me sa më pak kosto do të kurorëzohet si çmimi fitues dhe do marrë 250 mijë sterlina.
Projektet janë propozuar nga ekonomistët më në zë të botës. Mes tyre është edhe propozimi i vogëlushit Jurre Hermans nga Hollanda, i cili ka marrë një përgëzim dhe një kupon prej 100 euro.
Në projektin e tij, sipas BBC, ai shkruan: “Jam i shqetësuar për krizën e euros pasi shoh lajmet çdo ditë. Kriza e euros është një problem i madh. Po mendoj për zgjidhjet. Që kur kam lexuar në gazetë për çmimin tuaj, mendoja që të ofroja një ide edhe unë”.
Hermans e ka krahasuar borxhin e Greqisë me një picë.
Ai sugjeron që grekët të nxiten për të rikthyer eurot për pagimin e borxhit. Nëse nuk rikthejnë eurot, ata do gjobiten me të paktën ekuivalentin e shumës që po mbajnë pa kthyer.
Eurot e rikthyera do të formojnë atë që Hermans e quan një picë gjigande parash, copat e së cilës do u jepen kreditorëve.