Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i ka bërë thirrje lidershipit kosovar që për veriun të mos pranojë asnjë alternativë tjetër përveç zbatimit të planit të Ahtisarit.
Në një fjalim përpara studentëve të Shkollës Politike të Prishtinës, Sejdiu ka theksuar se plani në fjalë ishte kompromisi i të gjithëve.
“Asnjë plan tjetër nuk duhet pranuar, pos zbatimit të Planit të Ahtisaarit për Kosovën”, ka thënë prerë ish-presidenti dhe ish-kryetari i LDK-së.
Sejdiu drejtoi Kosovën në momentet kyçe të saj, që nga negociatat e atëhershme me Serbinë nën ndërmjetësimin e Marty Ahtisarit e deri në shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Më pas ai dha dorëheqjen pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës vlerësoi se kishte shkelur kushtetutën duke mbajtur njëkohësisht postin e presidentit dhe kryetarit të LDK-së.
Aktualisht në mediat kosovare flitet se zoti Sejdiu po planifikon të kthehet në krye të kësaj partie, duke shfrytëzuar pakënaqësitë e disa fraksioneve me kryetarin aktual Isa Mustafa.