Titaniku mund të jetë mbytur si pasojë e një kushti të rrallë atmosferik të quajtur “horizonti i rremë”, i cili e la stafin e anijes të pavetëdijshëm për akullnajën që kishin përballë, deri sa u bë tepër vonë për të reaguar. Një historin që po studion të dhënat e kushteve atmosferike dhe ndikimin e tyre në disa prej ngajrjeve më dramatike të shekullit të kaluar, beson se i njëjti fenomen mund të qëndrojë edhe pas faktit që anija “The Californian”, e ndodhur në afërsi të transoqeanikut, nuk i pa fishekzjarret e ndihmës dhe nuk mbërriti në kohë për të shpëtuar udhëtarët.
”Horizonti i rremë” është një lloj iluzioni optik, i cili formohet kur një front i ftohtë atmosferik, përballet me masa të ajrit të ngrohtë, duke krijuar një përthyerje të dritës në vendin ku ndodh takimi. Diçka e tillë bën që objektet të duken ndryshe nga realiteti, deri në një distancë fare të afërt.
”Natën tragjike të 15 prillit të 1912, kushtet për formimin e një iluzioni të tillë optik ishin perfekte. Nuk mund të themi me siguri që kjo është arsyeja, por personalisht jam i bindur që mund të ketë patur ndikim të rëndësishëm në pamundësinë e stafit për të konstatuar në kohë akullnajën në ardhje”, deklaroi historiani Tim Maltin.
”Besoj, se ky fenomen mund të shpjegojë më së miri edhe përse anijet e tjera në afërsi të Titanikut nuk e kuptuan incidentin dhe nuk bënë asgjë për të ardhur në ndihmë”.
Historiani Maltin shtoi: “Sot, ndiej një keqardhje të madhe për kapitenin e “The Californian”, i cili u përballë në ato vite me një presion të jashtëzakonshëm nga mediat. Ai deklaroi disa herë se u vu në kërkim të Titanikut, por nuk pa asgjë, diçka që në kushte normale, pa thyerjen e dritës, do të kishte qenë e pamundur pasi anijet ishin vërtet pranë. Hartat me trysninë atmosferike të asaj dite, nuk lënë vend për ekuivok. Titaniku ishte në qendër të një zone me presion 1 035 milibar, veçanërisht të lartë dhe që ndryshonte drastikisht në një zonë tepër të vogël”.