Forumi Kuq E Zi
Ngjarjet të çuditshme në sytë e atyre që i përjetuan Mirese10
Pershendetje vizitor i nderuar.
Me sa duket, ju nuk jeni identifikuar akoma ne faqen tone, ndaj po ju paraqitet ky mesazh per tju kujtuar se ju mund te Identifikohu qe te merrni pjese ne diskutimet dhe temat e shumta te forumit tone.

-Ne qofte se ende nuk keni nje Llogari personale ne forumin ton, mund ta hapni nje te tille duke u Regjistruar
-Regjistrimi eshte falas dhe ju merr koh maksimumi 1 min...
Duke u Regjistruar ju do te perfitoni te drejta te lexoni edhe te shprehni mendimin tuaj.

Gjithsesi ju falenderojme shume, per kohen që fute ne dispozicion për të vizituar saitin tonë.
Per cdo gje na kontaktoni ne Forumikuqezi@live.com
Ngjarjet të çuditshme në sytë e atyre që i përjetuan Regjis10


Join the forum, it's quick and easy

Forumi Kuq E Zi
Ngjarjet të çuditshme në sytë e atyre që i përjetuan Mirese10
Pershendetje vizitor i nderuar.
Me sa duket, ju nuk jeni identifikuar akoma ne faqen tone, ndaj po ju paraqitet ky mesazh per tju kujtuar se ju mund te Identifikohu qe te merrni pjese ne diskutimet dhe temat e shumta te forumit tone.

-Ne qofte se ende nuk keni nje Llogari personale ne forumin ton, mund ta hapni nje te tille duke u Regjistruar
-Regjistrimi eshte falas dhe ju merr koh maksimumi 1 min...
Duke u Regjistruar ju do te perfitoni te drejta te lexoni edhe te shprehni mendimin tuaj.

Gjithsesi ju falenderojme shume, per kohen që fute ne dispozicion për të vizituar saitin tonë.
Per cdo gje na kontaktoni ne Forumikuqezi@live.com
Ngjarjet të çuditshme në sytë e atyre që i përjetuan Regjis10
Forumi Kuq E Zi
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ju Mirpresim te gjithve ne forumin ton, ku do te gjeni argetim, humor, filma, lajme nga me te fundit, informacione nga me te ndryshmet, libra, programe per kompjuterin dhe shum e shum gjera te tjera. Per me shum ju ftojm te gjithve te REGJISTROHENI.....


You are not connected. Please login or register

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë  Mesazh [Faqja 1 e 1]

$EB@$TJ@N

$EB@$TJ@N
->Fond@tor<- WebM@ster
->Fond@tor
Ngjarjet të çuditshme në sytë e vetë e atyre që i përjetuan nga afër
Çmenduri brilante



Zbulimi i matematikës

Isha në shkollë fillore. Do të bëja aritmetikë dhe, në një moment pashë që punoja me numra të mëdhenj, më të mëdhenj se sa me cfarë punonin nxënësit e tjerë. Unë punoja me shumë shifra, ndërsa ata vetëm me dy apo tre. Unë bëja shumëzime dhe veprime bazë, por me numra të mëdhenj. Më vonë në adoleshencë, praktikova duke përdorur një makinë llogaritëse, ku mund të shumëzoje dhe mblidhje, zbrisje dhe pjesëtoje numra vërtetë të mëdhenj, si me dhjetë shifra. Nuk është e thënë të jesh matematiien që të jesh i tërhequr nga numrat. Me që ra fjala, kohët e fundit doli një film me emrin "Pi".

Mendoj se ai fillon me një varg të gjatë numrash që rendin nëpër ekran, dhe më pas shfaqen njerëz që shqetësohen për gjëra të ndryshme, dhe më në fund, del në pah ideja e kodit të Biblës. Dhe kjo lidhet me numrat, kështu që marrëdhënia me numrat nuk është domosdoshmërisht shkencore, madje as edhe kur unë kam qenë i trazuar mendërisht, kam patur një interes shumë të madh tek numrat. Fillova të mendoj n mënyrë më shumë shkencore në fundin e viteve '70 dhe fillimin e viteve '80. Kështu që, ka një tranzicion nga një fazë kur ke më shumë një si entuziasëm për numrat, si diçka magjike apo hyjnore, në një fazë kur zgjedh një qasje më shkencore ndaj numrave, dhe këto të dy nuk janë domosdoshmërisht shumë larg njëra-tjetrës.

Jokonformizmi

Dikush tha një herë se unë isha një talent, një mrekulli. Një herë tjetër tha se duhej të më quanin "tru-insekti", për arsye se kisha ide, por ato ishin pak a shumë si plot me insekte", ose jo tërësisht të shëndetshme. Pra, ky mund të ketë qenë një paralajmërim i problemeve mendore. Jo se në atë kohë unë isha tërësisht i shëndoshë mendërisht. Kisha disa sjellje që shfaqnin mosnënshtrim. Në një mënyrë apo një tjetër, bëja gjëra të çuditshme.

Në një farë mase, mendja e shëndoshë është një formë konformizmi. Dhe në një farë mase, njerëz që janë të "lojtur" janë jokonformistë dhe shoqëria si dhe familja e tyre uron, ashtu si urojmë unë dhe Alisia për Xhonin, që ata të jetojnë atë që duket një jetë e dobishme. Pra të punojnë. Të fitojnë para. Të jenë të gatshëm të bëjnë jetë familjare. Të vazhdojnë pemën familjare e gjëra si këto. Por ka gjithmonë njerëz që nuk veprojnë kështu, dhe ata ndoshta janë në azile ose, pa qenë në azil, janë të përfshirë në kategorinë e të sëmurëve mendorë.

Por sigurisht, shoqëria nuk ka nevojë që të gjithë të sillen normalisht. Shoqëria ecënpërpara dhe njerëzit mund të bëjnë gjëra të ndryshme, dhe ata fare mirë mund të mos kontribuojnë. Ka njerëz që duket se nuk kontribuojnë aspak. Ka njerëz përshembull që ndodhen në një ndonjë lloj institucioni fetar, që vetëm falen apo ndjekin gjithë ditën rituale fetarë dhe veshin rrobe të caktuara dhe konsiderohen të përshtatshëm. Por ata nuk bëjnë shumë, sidomos sa i përket GDP-së. Unë mendoj se sjellja e çuditshme lidhet gjithashtu me irracionalen, ndoshta njerëz që janë minimalisht ekscentrikë kanë më pak gjasa të çmenden, apo të pësojnë probleme mendore. Siguisht, për këtë nevojiten statistika.

Spiralja e tatëpjetës

Po të isha ndier tërësisht pa trysni, nuk mendoj se do të kisha hyrë në këtë situatë. Këtu është i pranishëm elementi i paranojës. Nuk ishte thjeshtë skizofreni, por skizofreni paranojake. Paranoja është e kudondodhur, po kështu manitë paranojake. Kështu që, them se duhet të ketë pasur presion, tensione dhe shqetësime. Nuk e di se ku është shkaku dhe ku është pasoja. Nuk dua të filloj e të bëj kërkime shumë të thellë brenda vetes time.

E di se nëse do të mundesha vërtetë të kuptoja sëmundjen mendore, atëherë do të qe e nevojshme të bëja një ndryshim të madh në karrierë. Do të bëhesha terapist dhe një lider, në fushën e sëmundjeve mendore. Por nuk më takon. Gjërat ishin zhvilluar më parë. Nuk është se ndodhi brenda natës. Unë kisha patur më herët konflikte. Sigurisht, e gjitha mua më erdhi si surprizë. Nuk është se e kuptoja për atë që ishte sëmundjen, si diçka të përjetuar. Më vonë, e njëjta gjë më ndodhte shpesh por unë e kuptoja menjëherë atë që kish ndodhur, pra që ishte shumë vonë për të bërë diçka, që tashmë isha i "kapur".

Dëgjoja zëra

Fillimisht nuk dëgjoja zëra fare. Kaluan disa vite përpara se të filloja të dëgjoja zëra dhe - fillimisht nisa të bezdisem në 1959, ndonëse realisht nisa të dëgjoja në verën e 1964. Pikërisht në këtë koha nisa të grindem me "konceptin e zërave".

Më së fundi, nisa t'i refuzoj dhe vendosa të mos i dëgjoj. Edhe im bir ka dëgjuar zëra, dhe nëse ai do të jetë në gjendje të përparojë në fazën ku i refuzon ata, atëherë me siguri do të dalë nga sëmundja e tij mendore. Ajo çfarë i thua vetes është se çfarë janë këta zëra, por nga ana tjetër mundesh fare mirë të heqësh një paralele mes kësaj situate dhe një ëndrre.

Unë kisha disa ide filozofike në atë kohë. Shpesh hera mendoja në terma politikë, ndërkohë që pas jo shumë çastesh gjendesha duke kritkikuar këtë mënyrë të menduari - pra që nuk ishte shumë e vefshme të mendoja në terma politikë. Edhe sot, ndonjëherë mendoj se nuk është edhe aq mirë të mendojmë në terma politikë për disa çështje të aktualitetit të sotëm. Këtë duhet t'ua lëmë të tjerëve.

Kështu, në refuzimin e disa ideve politike që kishin një farë lidhje me zërat, unë e mendoja një zë të caktuar si analog të një argumenti politik. Më pas, i thoja vetes: Këtë nuk dua ta dëgjoj.

Idetë e gabuara për sëmundjen mendore

Unë mendoj se sëmundja mendore, apo çmenduria, mund të jetë gjithashtu një lloj arratie. Zakonisht, nuk është se njerëzit sëmuren mendërisht, për arsye se janë në gjendjen më të lumtur të mundshme. Një doktor vërejti dikur se është shumë e rrallë që njerëzit e pasur të bëhen skizofrenë. Kur këta ishin të varfër, ose nuk kishin shumë para, atëherë gjasat që të sëmureshin mendërisht rriteshin. Dhe kjo është e natyrshme, nëse gjërat shkojnë shumë mirë, atëherë mund të gjesh kënaqësi me botën ashtu si është, ashtu si ajo duket se është.

Kur gjërat nuk janë edhe aq mirë, atëherë ndoshta imagjinon diçka më të mirë. Për mua, unë isha në gjendje të imagjinoja veten time në një rol me rëndësi më të madhe, nga roli i zakonshëm që kisha në jetë. Në atë kohë, njihesha pak. Kisha bërë pak progres profesionalisht, por nuk isha realisht në majë. Nuk është se kisha njohje në nivelet më të lartë, kështu që kur nisa të mendoj në mënyrë irracionale, e imagjinoja veten time në Nivelin Nr. 1. Isha njeriu më i rëndësishëm në botë, dhe njerëz si Papa - ose presidenti - për mua ishin thjeshtë armiq, që kërkonin të më zhysnin sa më poshtë.

Njerëzit shesin gjithmonë idenë se ata që kanë sëmundje mendore vuajnë. Dhe që, terapisti e doktorët, të gjithë që punojnë me ta mund të bëjnë mirë, duke i çliruar nga vuajtjet në një mënyrë apo tjetër, ndoshta duke u dhënë disa ilaçe, më pas do t'i bëjnë me më pak vuajtje, me qëllimin përfundimtar për t'i sjellë në një tjetër nivel ekzistence.

Nuk pretendoj se e kuptoj sëmundjen mendore, si dhe shkaqet apo të gjithë detajet mbi të. Sigurisht, mendoj se askush nuk mundet. Shkencëtarët po përpiqen. Sot është bërë shumë e përhapur që të gjesh shpjegime kimike dhe shpjegime gjenetike, dhe ndoshta gjithcçka mund të vëzhgohet përmes skanimeve, përshembull skanime të trurit dhe gjetja e ndryshimeve në madhësinë e zonave të caktuara të trurit. Gjithësesi, unë nuk mendoj se është aq e tjeshtë dhe jo të gjithë rastet janë domosdoshmërisht të njëjtë. Simptomat janë shumë të koordinuara, kështu që mund të përcaktohet skizofrenia apo sëmundja e manisë depresive duke patur parasysh simptomat, të cilat vihen re në sjelljen e njeriut.

Haluçinacionet

Një gjë e tillë ndoshta shfaqet edhe tek filmi "Një mendje e bukur", por sidoqoftë lloji i iluzionit në film shfaqet disi i ndryshëm, pasi njeriu sheh gjëra që në fakt nuk janë aty. Nuk janë thjeshtë ide, ai mendon se sheh njerëz të caktuar. Unë vetë kurrë nuk kam parë asgjë, por im bir më ka thënë se sheh gjëra, dhe të them të drejtën unë vetë nuk e di se si është, për arsye se nuk ma thotë shumë shpesh. Jam disi dyshues, psi mendoj se në fakt atij i pëlqen ta thotë këtë.

Nuk shkoja kurrë me dëshirë në qendrën e rehabilitimit. Shkoja vullnetarisht vetëm për të qenë pacient i jashtëm në vizitat e mëvonshme. Pra, një situatë ku del nga spitali, por gjithësesi takohesh rregullisht me psikiatrin. Ndërkohë që punoja në matematikë apo bëja kërkime, një herë në javë takohesha me një psikiatër. Takohesha me dikë në zonën e Bostonit, kur u ktheva atje në vitet gjashtëdhjetë. Dhe pas një farë kohe u ndala. Nuk takohesha më me të.

Nuk ndieja që duhej të mbyllesha në atë mënyrë, ndonëse them se kur je një njeri i çmendur, atje është vendi më i mirë për t'u "mbyllur", pasi ata kanë kushtet më të mira atje. Sidoqoftë, ishte një arrati e imja. U përpoqa të largohem më herët por nuk munda. Kisha marrë jë avokat, ju e dini, është gjithmonë e mundur të grindesh e të argumentosh në bazë të habeas corpus, por jo domosdoshmërisht kjo pranohet. Eshtë një lloj tradite.

Terapia e komës me insulinë

Mbaj mend një pjesë të ngjarjeve përreth. Ishte një grup njerëzish që hynin në këtë lloj terapie dhe ata ndodheshin në një vend të caktuar. Më pas i shihja tek shkonin e bënin dush. Pjesën tjetër të kohës e kalonin në bahçe, duke pirë ujë me sheqer. Pasi bëje këtë lloj terapie, pije pak ujë me sheqer me qëllim që të vetëneutralizohej me sheqer.

Pra, mbaj mend disa prej atyre gjërave. Kjo terapi, e miratuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, vepron praktikisht në këtë mënyrë: Pacientit i injektohet insulinë, gjë që shkakton dy deri tre orë me nivele të ulët të sheqerit në gjak. (Insulina është hormon që largon sheqernat nga gjaku dhe i depoziton në mëlçi). Kur niveli i sheqerit në gjak bie menjëherë dhe shumë, truri nuk është në gjendje të "mbajë" vetëdijen dhe pacientët e humbasin. Nuk e mbaj mend si një eksperiencë të drejtpërdrejtë.

Por, sidoqoftë, ka një efekt në kujtesë. Eshtë njësoj si me anestezinë, ku mban mend procesin deri në momentin që ta bëjnë. Në ato momente, mbaj mend që mendoja për mizorinë kundër kafshëve dhe problemin e keqtrajtimit të kafshëve. Në kohën që ndodhesha në këtë spital, u bëra vegjetarian. Pra, në momente të terapisë ajo që mendoja ishte se duhej të protestohej kundër këtij trajtimi.

Iluzione

Në çmendurinë time, mendoja se kisha një rol shumë të rëndësishëm, që përfshinte funksione të llojit të "mesazherit". Ky është një koncept mysliman, në mënyrë të veçantë me Muhamedin. Ai është mesazheri i Allahut. Unë mendoj se kjoë shtë një frazë standarte. Pra, unë e shihja veten si një mesazher, apo si një njeri me një mision të veçantë.

Mendoja atëherë se kisha mbështetës, por kisha edhe kundërshtarë, kështu që mendoja se nëse shtrohesha në spital, atëherë ky ishte një coup d'etat i organizuar nga ana e kundërshtarëve të mi. Kisha maninë e persekutimit. Mendoja se disa njerëz të rëndësishëm - Aizenhauer ishte president atëherë - dhe Papa si dhe fuqi të tjera nuk më donin.

Mendoja atëherë për një botë të fshehtë ku komunistët dhe jokomunistët kishin në duar fijet - ata ishin, si të thuash, ngatërrestarët e gjithçkaje.

Në një kohë shumë të hershme mu ngulit ideja se së shpejti do të merrja një mesazh. Më vonë, nisa të ndiej se së afërmi, një numër që do të më shfaqej do të ishte përcjellësi i një mesazhi hyjnor. Një koincidencë madhore në atë kohë mund të interpretohej fare mirë si një mesazh nga Perëndia.

Drejt shërimit

Nuk e mbaj mend shumë mirë kronologjinë - pra kur kalova me saktësi nga një mënyrë të menduari, në një tjetër. Ishte një kohë kur shkova dhe jetoja i varur nga ime më. Ajo ishte vejushë, dhe unë jetova në apartamentin e saj deri kur vdiq. Aty pata një incident dramatik. Një sëmundje e papritur që shkon keq e më keq. Nuk e di me saktësi se çfarë ndodhi, në kuptimin mjekësor.

Pasi ajo vdiq, mu desh të largohem nga ajo zonë. Nuk mund të jetoja i varur nga ime motër dhe bashkëshorti i saj. Qëndrova pak kohë në shtëpi, por mund të them se ata më vonë më nxorrën jashtë. U ktheva në Princeton, dhe Alisia më pranoi në atë kohë.

Në këtë kohë, të paktën unë po shmangia ato lloje sjelljesh që i detyrojnë të tjerët të të dërgojnë në një spital psikiatrik. Pikërisht, në këtë lloj niveli ka mbërritur sot im bir.

Ai mund të sillet fare mirë - në pjesën më të madhe të kohës, është e vështirë të thuhet se ai duhet marrë dhe dërguar në spital, apo të konsiderohet i rrezikshëm për të tjerët dhe vetveten. Ky lloj standarti ekziston sot.

Duhet që më parë një person të konsiderohet i rrezikshëm, ose i rrezikshëm për vetveten dhe më pas ata dërgohen në spital pa dëshirën ë tyre.

Por në vitet '50 dhe '60, mjaftonte të argumentoje se personi në fjalë do të përfitonte nga trajtimi mjekësor në një spital. Mendimi im është se spitalet janë më shumë si magazina se sa vende ku mund të përftosh një lloj me të vërtetë të fortë psikoterapie. Dhe janë shumë të kushtueshëm. Eshtë shumë e kushtueshme që të mbash një person aty, ndërkohë që mjekët mendojnë se nuk mund të bëjnë asgjë tjetër përveçse t'i japin përditë ilaçet dhe ta strehojnë.

Të them të vërtetën, nuk është se e di se si ndodh shërimi, pasi përvojat janë individuale. Statistikisht, nuk ndodh rrallë që persona me sëmundje mendore të shndërrohen sërish në normalë. Të dhënat për këtë na ofrohen madje që në lashtësi.

Dhe një fakt që mua më duket shumë interesant është se, statistikat konfirmojnë që terapia dhe trajtimi me ilaçe nuk është se e kanë rritur përqindjen e njerëzve që janë shëruar realisht nga sëmundjet mendore, pra që të kenë mbërritur në një gjendje ku nuk kanë më nevojë për ilaçe dhe nuk ndodhen nënjë gjendje gjysmë-paaftësie.

Çmimi "Nobel" dhe e ardhmja

Çmimi Nobel më hapi porta të reja njohjeje. Kudo ku shkoja, më nderonin. Zgjidhesha anëtar në një shoqëri të nderuar, e gjëra të tjera si këto. Dhe këto buronin si pasoja të drejtpërdrejta të çmimit. Kështu që, e pata shumë të qartë se asgjë nuk do të kish ndodhur pa Çmimin Nobel. Kisha një farë njohjeje përpara Çmimit Nobel, që në një farë mënyre ma bëri të mundur këtë. Diçka që quhej Shoqëria Ekonometrike.

Ata kanë dy nivele anëtarësie për këtë qëllim; pjesëtarët e rregullt dhe partnerët. Duhet që të zgjidhesh për të qenë partner. Një anëtar i rregullt është një person që paguan tarifat; ndoshta është ekonomist, apo një person i interesuar në ekonominë, apo ndoshta në statistikë e të tjera si këto. Kështu që, mua më propozuan për këtë qëllim.

Kështu që, fillimisht pati një sugjerim, më pas isha kandidat dhe në fund u zgjodha. E gjithë kjo solli në vëmendje emrin tim, si dikush që kish njohje tashmë, një lloj statusi profesional.

Kështu që, ishte pikërisht kjo që bëri të mundur marrjen e Çmimit Nobel në Ekonomi, që të them të drejtën e kam harruar se kur ndodhi. Sigurisht, e ardhmja në përgjithësi është një koncept i gjatë në kohë, gjithmonë nëse gjërat nuk shkojnë për keq, apo nëse nuk ndodh një mrekulli.

Shkenca e dilemave

Një shkencë e pazakontë kur flitet për gjerësinë e zbatimeve të saj të mundshme

Teoria e Lojës shpjegon vendimmarrjen ndëraktive, ku rezultati i çdo pjesëmarrësi apo "lojtari" varet nga veprimet e të gjithëve. Nëse je lojtar në një lojë të tillë, kur zgjedh rrugën tënde të veprimit, apo "strategjinë" duhet të mbash parasysh zgjedhjet e të tjerëve. Por, kur mendon për zgjedhjet e tyre, duhet të kesh parasysh se edhe ata po mendojnë për të tuat, dhe kështu që ti merr parasysh mendimin tënd për atë që ata mendojnë, e kështu me radhë.

Duket sikur të mendosh për të menduarit është diçka kaq e ndërlikuar dhe e mprehtë, saqë praktikimi i suksesshëm tingëllon si një art misterioz e i errët. Në të vërtetë, parë nga disa këndvështrime, momente të tillë si përshembull gjetja e motiveve të vërtetë të rivalëve dhe pranimi i modeleve kompleksë, shpesh herë i rezistojnë analizës logjike. Por shumë aspekte të strategjisë mund të studiohen dhe sistemohennë një shkencë - teoria e lojës.

Lindja e një Teorie

Kjo shkencë është e pazakontë kur flitet për gjerësinë e zbatimeve të saj të mundshme. Ndryshe nga fizika apo kimia, të cilat kanë një fushë veprimi të mirëpërcaktuar dhe të ngushtë, normat e teorisë së lojës janë të vlefshme në një sërë veprimtarish, që nga ndërveprimet e përditshme të jetës sociale dhe sporti, e deri tek biznesi dhe ekonomia, politika, ligji, diplomacia dhe lufta. Biologët kanë pranuar se beteja darviniane për mbijetesë përfshin ndërveprime strategjike, dhe teoria evolucionare moderne ka lidhje të ngushtë me teorinë e lojës.

Teoria e Lojës e pati fillesën e vet me veprën e Xhon fon Nojman në vitet 1920, që e pati kulmin në librin e tij të përbashkët me Oskar Morgenshtern.

Ata studiuan lojërat "me shumën zero", ku interesat e dy lojtarëve ishin saktësisht të kundërvëna. Xhon Nesh trajtoi rastin më të përgjithshëm dhe realist të një përzierjeje interesash të përbashkët dhe rivalitetesh dhe çdo numër lojtarësh. Teoricienë të tjerë, ndër më të spikaturit Rainhard Selten dhe Xhon Harsanji të cilët ndanë me Nesh Cmimin Nobel në vitin 1994, studiuan lojëra edhe më komplekse me sekuenca lëvizjesh, si dhe lojëra ku një lojtar ka më shumë informacion se të tjerët.

Ekuilibri i Neshit

Teoria ndërton një nocion "ekuilibri", në të cilin puqet një zinxhir kompleks mendimi, për të menduarit. Më pas, strategjitë e të gjithë lojtarëve do të kishin një lidhje logjike reciproke, në kuptimin që secili do të zgjidhte përgjigjen e vet më të mirë ndaj zgjedhjeve të të tjerëve. Që një teori e tillë të jetë e suksesshme, duhet të ekzistojë ekuilibri që parashtron.

Nesh përdori teknika të reja matematikore për të vërttuar ekzistencën e ekuilibrit në një klasë shumë të ëprgjithshme lojërash. Kjo u hapi rrugën zbatimeve. Biologët kanë përdorur madje ekuilibrin e Neshit për të formuluar idenë e qëndrueshmërisë evolucionare. Ja disa shembuj për të përcuar disa ide të teorisë së lojës si dhe shtrirjes së fushëveprimit të saj.

Dilema e të burgosurit

Në romanin e Zhozef Heler, "Catch-22" fitorja e aleatëve në Luftën e Dytë Botërore është tashmë një konkluzion i qartë dhe Josariani nuk dëshiron të jetë mes të fundmëve që do të vdesin. Komandanti i tij i drejtohet: "Por, pa mendo pak sikur të gjithë në anën tonë të mendonin njësoj si ti?" Josariani përgjigjet: "Atëherë, unë do të isha idiot nëse do të mendoja ndryshe, apo jo?"

Çdo lexues i rregullt ka dëgjuar për dilemën e të burgosurit. Policia merr në pyetje dy të dyshuar veç e veç, dhe i propozon secilit që ai ose ajo duht të spiunojë për tjetrin dhe të ofrojë prova për shtetin. °Nëse tjetri nuk spiunon, atëherë mund të arrish një marrëveshje shumë të mrië për veten tënde duke ofruar prova kundër tjetrit; nëse tjetri spiunon dhe ti vazhdon të rezistosh, në gjykatë do të të trajtojnë shumë ashpërsisht.

Kështu që, nuk ka rëndësi se çfarë bën tjetri, për ty është më mirë të spiunosh se sa të mos spiunosh - spiunimi është strategjia jote më e mirë". Kjo ndodh si kur të dy janë realisht fajtorë, si për shembull në serialin NYPD Blue, ashtu edhe kur janë të pafajshëm, si në filmin LA Confidential. Sigurisht, kur të dy spiunojnë, të dy përfundojnë më keq nga sa do të ishin sikur të dy të kishin rezistuar; por ai rezultat, ndonëse i dëshirueshëm për të dy ata, shembet përpara tundimit të të dyve për të spiunuar.

Dilema Josariane është vetëm një version i kësaj, por me shumë persona.

Vdekja e tij nuk do të bëjë ndonjë dallim të dukshëm sa i përket fitores, dhe ai personalisht është më mirë të jetojë se të vdesë. Kështu që, shmangia e vdekjes është strategjia e tij dominuese. Xhon Nesh luajti një rol të rëndësishëm në interpretimin e studimit të parë eksperimental të dilemës së të burgosurit, që u krye në Korporatën Rend në vitin 1950.

Dilema të botës reale

Sapo njeh idenë e përgjithshme, nis e sheh dilema të tilla kudo. Dyqane konkurues që ulin çmimet në dëm të tjetrit, kur të dy do të kishin patur shumë më tepër dobi nëse do 'i kishin mbajtur të dy çmimet të lartë janë viktima të dilemës. (Por në këtë rast, konsumatorët përfitojnë nga çmimet më të ulët kur shitësit "ia hedhin" njëri-tjetrit). I njëjti koncept shpjegon përse është e vështirë të mbledhësh kontribute vullnetare, apo të bësh njerëzit të dalin vullnetarë për një kohë të mjaftueshme, për kauza të vlefshme publike.

Si mund të zgjidhen dilema të tilla? Nëse marrëdhënia e lojtarëve përsëritet në një kohë të gjatë, atëherë perspektiva e një bashkëpunimi të mundshëm në të ardhmen nuk do t'i lejojë ata "t'ia hedhin" njëri-tjetrit; kjo është strategjia e mirënjohur tit-for-tat (me të njëjtën monedhë).

Një lojtar "i madh" që e vuan më shumë kur tjetri ia hedh mund të veprojë në mënyrë bashkëpunuese edhe kur të vegjlit përpiqen t'ia hedhin. Kështu, Arabia Saudite vepron si një valvul në OPEC, duke ulur prodhimin për të mbajtur lartë çmimet në rastet kur të tjerët prodhojnë më shumë; dhe Shtetet e Bashkuara mbajnë një barrë të barabartë kostosh për aleancat e veta ushtarake.

Më së fundi, nëse grupi në tërësi do të bënte më mirë në marrëdhëniet e jashtme kur gëzon bashkëpunim të brendshëm, atëherë procesi i përzgjedhjes biologjike apo sociale mund të gjenerojë instikte apo norma sociale që mbështesin bashkëpunimin dhe ndëshkojnë hilenë. Sensi i lindur i drejtësisë dhe sinqeritetit që vihet re mes qenieve nejrëzore në shumë eksperimente laboratorikë mbi teorinë e lojës, mund të ketë një origjinë të tillë.

Lëvizje ngatërruese

Në futbollin amerikan, kur një ekip në sulm has në një lojtar të tretë me vetëm një jardë larg, atëherë lëvizja më e mundshme apo me përqindje më të lartë është zhvendosja në qendër. Po kështu, një lojtar që gjuan penalltnë në futboll që godet gjithmonë në të djathtë të portierit, apo një shërbyes në tenis që godet gjithmonë pranë parakrahut të tenistit pritës, me shumë gjasa do të dalë dobët pasi kundërshtari do të parashikojë dhe reagojë.

Në situata të tilla, është mrië të ngatërrohen vazhdimisht lëvizjet që bën, me qëllim që në çdo rast veprimi yt të jetë i paparashikueshëm. Ngatërrimi është më i rëndësishëm në lojëra ku interesat elojtarëve janë të kundërvëna në mënyrë strikte, dhe kjo ndodh shumë shpesh në sporte. Në të vërtetë, studime empirikë të kohëve të fundit në finalet e tenisit si dhe penalltitë në ligat evropiane të futbollit kanë parë që sjellja e lojtarëve është konsistente me teorinë.

Angazhimet

Zakonisht, një liri më e madhe veprimi është e dëshirueshme. Por në lojrat e ujdive kjo nuk është ethënë të jetë e vërtetë, për arsye se liria për të vepruar thjeshtë mund të shndërrohet në liri për të bërë lëshime para kërkesave të tjetrit. Të angazhohesh për një ofertë përfundimtare të palëkundur, kjo e lë palën tjetër me shansin e fundit për të shmangur një dështim që do të ishte fatkeq për të dy palët, dhe kjo mund të bëjë që ti të arrish një ujdi më të mirë.

Por thjeshtë një deklaratë palëkundshmërie mund të mos jetë e besueshme. Sajimi i veprimeve që bëjnë të besueshëm angazhimet e një lojtari është një prej arteve më të bukur në sferën e lojërave strategjike. Pjesëtarë të një sindikate dërgojnë liderët e tyre në bisedime për të mbërritur në marrëveshje përpagat me udhëzime të saktë, apo me mandate që u lidhin duart këtyre, gjë që bën të besueshëm deklarimin se ata nuk do të pranojnë asnjë ofertë më të ulët.

Ekzekutivi i qeverisë amerikane, i angazhuar në negociata ndërkombëtare apo çështje të interesave të veçantë mund të marrë një pozicion të palëkundur e të besueshëm duke theksuar se Kongresi nuk do të ratifikojë asgjë më pak. Dhe një fëmijë ka më shumë gjasa të marrë karamlen apo lodrën që dëshiron nëse qan me sa ka në kokë, duke mos patur mundësi të dëgjojë shpjegimet e arsyetuara të prindit, se përse nuk duhet ta ketë.

Tomas Sheling ishte i pari që u mor me studimet e angazhimeve të besueshëm si dhe "lëvizjet strategjike", si kërcënimet dhe premtimet. Këto kanë gjetur shumë zbatime në diplomaci dhe në luftë, të cilat, siç ka thënë strategu Karl fon Klausevic shumë kohë më parë, janë dy anë të së njëjtës medalje.

Informacion dhe stimuj

Supozoni që sapo jeni diplomuar në shkenca kompjuterike dhe keni një ide për një program totalisht të ri që do të integronte në një kompjuterat, celularët dhe televizorin për të krijuar një medium të ri. Potenciali i fitimit është shumë i madh. Shkoni tek kapitalistë të njohur për të financuar apo zhvilluar idenë tuaj.

Nga ta dinë ata që potenciali është aq i madh sa pretendoni ju? Ideja është shumë e re për ta, që të kenë mundësi ta gjykojnë në mënyrë të pavarur.

Ju nuk keni asnjë të kaluar të spikatur, dhe mund të jeni një sharlatan që do të përdorni paratë për të jetuar me standart të lartë për pak vite dhe më pas të zhdukeni. Një mënyrë që ata të testojnë se sa shumë ju vetë besoni në idenë tuaj është të shohin se sa nga paratë tuaja jeni të gatshëm të riskoni për këtë projekt të ri. Çdokush do të thoshte: °Nëse je i gatshëm të hedhësh para nga të tuat, atëherë ky është një sinjal i vlerësimit që ti vetë i bën idesë tënde".

Kjo është një lojë ku lojtarët kanë informacione të ndryshme; ju e dini potencialin e vërtetë të idesë tuaj shumë më mirë nga sa e dinë financuesit tuaj të ardhshëm. Në lojëra të tilla, veprime që zbulojnë apo fshehin informacionin luajnë rol kritik.

Sfera e "ekonomisë së informacionit" ka qartësuar shumë tipare më parë të turbullt të drejtimit të korporatave dhe organizatave industriale, dhe ka rezultuar njësoj e dobishme në shkencat politike, studime e madje edhe në biologji. Dhënia e Çmimit Nobel 2001, pionerëve të saj Xhorxh Akerlof, Majkëll Spens dhe Zhozef Stiglic dëshmon për rëndësinë e saj. Ajo çfarë i ka mundësuar ekonomisë së informacionit të bulëzojë në dekadat e fundit është zhvillimi paralel i koncepteve dhe teknikave në teorinë e lojës.

Radhitja e interesave, shmangia e Enronëve

Një zbatim në ekonomi-biznes është hartimi i skemave të stimujve. Korporatat moderne zotërohen nga shumë aksionerë të cilët nuk mbikëqyrin personalisht veprimtarinë e kompanive. Si mund të sigurohen ata që punëtorët dhe menaxherët do të bëjnë përpjekjet e nevojshme për të maksimiuar vlerën e aksioneve? Mund të punësojnë supervizorë që të mbikëqyrin punëtorët, si dhe menaxherë për të mbikëqyrur supervizorët.

Por gjithë ky monitorim është jo i përsosur: koha në punë mund të monitorohet lehtësisht, por cilësia është shumë e vështirë të vëzhgohet dhe gjykohet. Dhe mbetet problemi se kush do të mbikëqyrë drejtuesit e lartë. Prandaj ka rëndësi krijimi i skemave të kompensimit që vënë në një vijë interesat e punëtorëve e menaxherëve me ato të aksionerëve.

Teoria e lojës dhe ekonomia e informacionit na kanë ofruar ide të vleshme për këtë problem. Sigurisht, ne nuk kemi zgjidhje të përsosura; për shembull, ne sapo jemi duke zbuluar se si drejtuesit e lartë mund të manipulojnë dhe shtrembërojnë matjet e performancës për të rritur vlerën e trye të kompensimit ndërkohë që dëmtojnë aksionerët dhe punëtorët. Kjo është një lojë ku aksionerë dhe qeveria duhettë gjejnë dhe përdorin kundërstrategji më të mira.

Nga intuita tek parashikimi

Ndërkohë që lexonit këta shembuj, ndoshta menduat se shumë prej mësimeve të teorisë së lojës janë të qartë dhe evidentë në jetën e përditshme. Nëse keni patur përvojë të mëhershme në lojëra të tilla, ndoshta keni zgjedhur me intuitë strategji të mira për to. Ajo çfarë bën teoria e lojës, është unifikimi dhe sistematizimi i intuitave të tilla.

Më pas, parimet e përgjithshme i shtrijnë intuita të tilla përgjatë situatave të ndryshme, dhe kështu thjeshtësohet përllogaritja e strategjive të mira për lojëra të reja.

Nuk është gjë e keqe që një ide të tingëllojë evidente kur ajo formulohet dhe shpjegohet në mënyrën e duhur; përkundrazi, një shkencë apo teori që merr ide të thjeshta dhe nxjerr prej tyre maksimumin, është e vlefshme pikërisht prej kësaj.

https://kuqezi.albanianforum.net/

E Sinqerta

E Sinqerta
Webmaster
Webmaster
Tragjedia e vajzës së kolonelit që u martua me një rom
Djali i vogël i Nazmi Bastriut dhe Lirie Kondit tregon për herë të parë gjithë përjetimet e fëmijës që kujtimet e vetme të fëmijërisë i lidh me orarin e drekës, kur duhet të lypte ndonjë kafshatë buke. Si u martua e ëma, e bija ekonomiste e kolonel Elmaz Kondit, me të atin rom. Ç’u bë me ta pas martesës së padëshiruar nga familja e bardhë dhe presione të vazhdueshme të Sigurimit, që çuan deri në vdekjen e së ëmës dhe burgosjen e të atit. Persekutimi nga ish-zv. ministri i Brendshëm Xhulio Çiraku, i afërm i Hysni Kapos.

Ç’ka ndodhur shoku kolonel?
-Shoku mut, më thuaj.
-Po ti fol mor burrë, ç’i ka ndodhur vajzës?
-Dashuron një… arixhi.
-Arixhi?, klithi studenti i Shkollës së Partisë.
-Po, po, arixhi safi! Bato Kazanxhiu e quajnë. Jeton në Bregun e Lumit. Në barake me llamarina. Mes evgjitërve barkëjashtë e këmbëzbathur.
-Si kështu? Blerta është vajzë e urtë, e sjellshme. Vërtet e heshtur, po, deri këtu… Dashuri me arixhiun! Ç’do të thotë bota xhanëm? Po ju çfarë keni bërë o kolonel?
-Unë Telo Mezani, kolonel i Ministrisë së Brendshme me nipër e mbesa arixhinj… Për ideal të Partisë, e tmerrshme! E kobshme! Më e zezë se vdekja.
Që ta gjesh në një roman artistik këtë dialog, asgjë të çuditshme nuk ka. Por, kur që në krye të faqeve të romanit shkruhet dukshëm që të gjitha ngjarjet janë të bazuara në ngjarje të vërteta, atëherë historia ndërlikohet. Emrat e personazheve të sipërpërmendur nuk janë ata realët, ama duhet të jenë diku nëse ngjarja është e vërtetë. Këtë dilemë që ngjalli romani “Nata e syrit të gjelbër” me autor Mina Qiricin, na e zgjidhi vetë autori. Drita e qetësisë nuk u pasqyrua asnjëherë në sytë e mëdhenj ngjyrë gjelbër të dy protagonistëve të ngjarjes. Ky nuk është vetëm fakt i marrë nga ngjyrat artistike të romanit, kërkimi rreth ngjarjes shkoi shumë afër së vërtetës. Të paktën te emrat dhe ngjarjet, po. Aq sa i lejonte kujtesa një djaloshi gjysmë rom e gjysmë të bardhë, që i rënduar nga kujtimet e vrazhda të fëmijërisë emigroi qysh në vitet e para, kur mundën të gjithë, për të mos iu kthyer më gjatë për të jetuar. Mjaftueshëm, sa për të takuar të atin e shenjosur në trup e shpirt nga e shkuara, deri dy vjet më parë, kur u largua njëherë e përgjithmonë. Alfred Bastriu është i biri i protagonistit të ngjarjes së romanit. Pjellë e dashurisë së luftuar në çdo kohë. Portreti i tij është i vrazhdë, i egër. Sado që gjatë bisedës përpiqet edhe të buzëqeshë, me gjithë dhembjen që i shkakton historia që duhet të tregojë, sytë e tij (të shkruar, me nuanca të lehta të jeshiles të së ëmës) nuk e shmangin dot njëfarë “urrejtje ndaj botës”.
I ati nuk ua pati ushqyer kurrë këtë ndjenjë urrejtjeje, edhe pse ishin përherë të përçmuar e keqtrajtuar, megjithatë ai nuk e shmang dot. Kur ishte 5 vjeç e shkonte lypte koraçka (kore buke) te komshinjtë, i ndërgjegjshëm që ishte duke shkuar ai, sepse vëllezërit e mëdhenj turpëroheshin nga kjo gjë, në shikimin e tij akumuloheshin të gjitha; urrejtja instiktive ndaj gjithçkaje dhe asgjëje, turpi, pafuqia. Kështu u rritën sytë e tij. Edhe sot, që kanë fituar të gjitha tiparet e burrërisë, nuk e kanë të lehtë buzëqeshjen. E kush do të mundej!? Me ato përpëlitje që të shkaktonte shfletimi i albumit të tij familjar të fotografive, ndërsa edhe ai vetë i shihte pas kaq vitesh e bënte bashkë copëza historish, edhe aq, shikimi ishte i mirë.
Cila është e shkuara e këtij djaloshi të sapokthyer nga përbuzja e emigrimit për të ndërtuar një shtëpi të re, po aty ku i ati për 62 vite pati të vjetrën. Në po ato rrugica të “Alliasit” (lagje e komunitetit rom), ku u rrit e ku kërkoi bukë. Ç’ishte kjo gjëmë e madhe që prindërit i kishin bërë të tjerëve aq sa për të ardhur policia në shtëpi e të kërkonte me dhunë t’i çonte drejt jetimores. Qysh atëherë, fëmijët i jepnin këtyre pyetjeve përgjigje të pjesshme. Edhe pak vite akoma dhe gjithçka do të ishte e qartë.
Historia e dashurisë së djalit rom me të bijën e kolonelit
Emri i vërtet i Blertës së romanit të autorit Mina Qirici ishte Liri (i tëri ironik fati me të, qysh kur u shtiu ndër mend prindërve të saj t’i vinin të bijës këtë emër). Liri Kondi. Kujdesi që prindërit kishin treguar për të në të gjitha fazat e rritjes, e kishte bërë atë një vajzë të mirërritur e të shkolluar. Për një kolonel të Ministrisë së Brendshme, që në një mënyrë a në një tjetër do të kishte domosdo lidhje me “të mëdhenjtë”, kjo gjë ishte lehtësisht e mundur. Vetëm se fati nuk mund të kontrollohet e as të zmbrapset. Me të kryer studimet, Liria nisi të punonte në fermën ‘Gjergj Dimitrov’ si ekonomiste. Ishte aty ku u ndeshën shikimet e tyre. Një burrë i gjatë, bukurosh, me sy të mëdhenj të gjelbër e tipare të forta, nuk i shpëtonte vëmendjes së vajzave të reja. Sado që djaloshi nuk ishte si ajo, në një zyrë duke u marrë me llogaritë e inventaret e mallrave. Ishte njëri prej punëtorëve të fermës. Por, ky disnivel arsimor nuk ishte e vetmja pengesë. Nazmiu ishte rom. E ç’punë i prishte Lirisë kjo gjë, për të ai ishte më i miri, më i bukuri. As që e çonte në mend se ngjyra e tij e lëkurës do t’i kushtonte jetën. Pavarësisht së ardhmes së hidhur, kështu nisi dashuria e vajzës së kolonelit me djalin me ngjyrë.
Ishte fundi i viteve ’60-të, kohë kur racizmi de jure dënohej bindshëm, por po të ulje këmbët në tokë, kuptoje realitetin e ndryshëm nga fjalët. Kështu, Nazmi Bastriu u kthye në qendrën e sulmit për kolonelin Elmaz Kondi dhe të ëmën e tij ca më të afërt me ‘ata’ të Sigurimit, Trëndelina Kondi. Pyetjes nëse pas këtyre fshihej dikush tjetër, sot Alfred Bastriu ia ka gjetur njëfarësoj përgjigjen, a së paku mendon t’ia ketë gjetur. “Nga ato çfarë na tregonte babai, mendoj që pas stërgjyshes sime, Trëndelinës, fshihej një tjetër më i fuqishëm, i afërmi i saj Xhulio Çiraku”.
Xhulio Çiraku ishte gjeneral e zëvendësministër i Brendshëm e me gjithë postet, si për rastësi, ishte djali i tezes së Hysni Kapos. Domosdo që gjëra në dorë kishte plot, të paktën aq sa t’ia bënin të hidhur jetën Nazmiut. Aq sa, edhe në ditët e fundit të jetës, nuk i ishin zhdukur, vetëm sa i ishin përforcuar shenjat e torturave të burgut në trup. E megjithatë, Nazmiu asnjëherë nuk u ankua përpara tre djemve. “Ishte shumë burrë për ta bërë këtë, do ishte si të përbaltte kujtimin e sime mëje”.
Tmerret e ‘Luftës’ së familjeve

Shkëmbimi i vështrimeve të të rinjve ishte vendimtar. Për asnjërin prej të dyve nuk kishte kthim mbrapa. Qoftë për Nazmiun që po merrte një mijë e një kërcënime që të ndahej nga vajza e kolonelit, qoftë për Lirinë, që presionet e familjes po i vinin me breshëri. Asnjëri prej të dyve nuk u tërhoq nga vendimi që kishin marrë zemrat në heshtje në fermë. Liria u largua nga shtëpia për t’iu bashkuar familjes së Nazmiut. Domosdo që hoqi dorë një herë e mirë nga familja. Por, ata nuk hoqën prej saj. Familja e re u shtua me tre djem, që erdhën në jetë njëri pas tjetrit. Pra, shanset që të ndaheshin ishin zero. Elmaz Kondi megjithatë vazhdonte me presionet e tij. Ndikoi në jetën e familjes Bastriu, aq sa për ta detyruar të bijën të punojë grumbulluese mbeturinash, bashkë me anëtarët e tjerë të komunitetit rom. “Mendonte se kështu, duke e bërë të vuaj, duke e bërë të prekë skajet e varfërisë, do ta bënte ta linte e të kthehej te familja e saj”. Gjë që Liria nuk e bëri as kur mbeti e vetme, pa të shoqin. “Së pari, babain e internuan e çuan në Fushë-Krujë, në fermën “Halilaj”. Lajmi që mamaja po shkonte ta takonte edhe atje, falë agjentëve të Sigurimit, mbërriti shumë shpejt, kështu që duhet të merreshin masa më të forta. U krijua menjëherë skenari për burgosjen e tij. Ka qenë shumë e thjeshtë atëherë që njerëzit e pushtetshëm të krijonin një ngjarje, një alibi dhe të dënonin kë të kishin dëshirë. Kështu bën edhe me babain. Morën një pistoletë dhe ia futën në xhaketë. Akuza: “armëmbajtje pa leje”. Të gjitha këto ngjarje, varfëria, ligështimi, puna e rëndë, presionet e vazhdueshme edhe mbi fëmijët, po fillonin të rëndonin shëndetin e Lirisë. Aq sa pa ndonjë sëmundje të diagnostifikuar, domosdo që edhe pa mjekim, (nëse do të ishte sëmundje qëgjidhej me hape) u largua nga jeta ende pa i mbushur të 40-tat. Por, a kishte mbaruar me kaq?
Ç’shkonte nëpër mendjen e atyre njerëzve që e kishin shpënë të bijën drejt vdekjes?! A kishin reshtur prej dhimbjes së të luftuarit?! “Unë kam qenë shumë i vogël, gati nuk e kujtoj time më. Kam ndonjë moment të turbullt që më shumë i ngjan një ëndrre të harruar se sa realitetit. Kam qenë 4-5 vjeç kur ajo ka vdekur. Por, kur u rrita, i shihja gjërat ndryshe nga ajo kohë, po që ruaj kujtime. Pas vdekjes së nënës, me babain në burg, ne na mbante halla. Kujtoj sa herë makinën tip xhips që vinte në po këto rrugica, ku kaluam bashkë pak më parë, për të na marrë. Na merrnin në pyetje, por asnjëri prej nesh nuk u kthente përgjigje, kërkonin të na merrnin, të na çonin në jetimore. Ky ishte qëllimi i tyre që në ditët e para që lindëm, kështu nuk do të rrezikonin t’ju prishej raca në sy të të tjerëve. Veçse, po të mos pranoje, nuk të merrnin me zor”. Kështu kaloi jeta e këtij fëmije që nga mosha 4-vjeçare e deri në klasë të katërt, kohë kur babai i doli nga burgu. Aty do të tregoheshin gjithë peripecitë në kohën e mungesës së tij. Të gjitha herët që kishte trokitur te komshinjtë me shpresën për të marrë një copë buke prej vërteti (jo koriçkat e mbetura) për ta lagur me ujë e për ta ngrënë. Po ç’ishin këto përpara vuajtjeve të të atit që sigurisht nuk mund t’i ndante me fëmijët, veçse vite më vonë, me miqtë. Autori i librit “Nata e syrit të gjelbër” është një nga miqtë e tij të cilit Nazmiu i ka folur për tmerret e burgut. Për torturat e rrahjet që i kanë bërë.

Racizmi mbetet po ai
Në ato rrugica të panjohura të “Alliasit”, ku ende jetojnë dy vëllezërit Bastriu, (njëri prej tyre ka humbur jetën në një aksident) dikur, prej familjes së të ëmës vinte vetëm tezja e tyre, Shpresa Kondi. Edhe pas vdekjes së të ëmës, fshehtas, gjente mënyrën për t’u ardhur disi në ndihmë. “Kujtoj që në mënyrë gati të fshehtë, nëpër cepat e ndërtesave të lagjes vinte për të na dhënë ndonjë çokollatë a ndonjë ushqim, ç’të kishte mundësi”. Shpresa ka qenë e vetmja që e ka luftuar fort që në fillim vendimin e familjes. Madje, kur e kishte të motrën gjallë, shkonte ndonjëherë për darkë në shtëpinë e tyre. Por, çfarë ka ndodhur sot me ta? A u thyen ndonjëherë barrierat mes tyre? Apo është bërë vërtet më keq?! “Unë kam jetuar në Itali prej 19 vitesh dhe kam vetëm pak ditë që jam kthyer, por po ju tregoj një histori të pak kohëve më parë. Takova tezen dhe pak larg nesh u duk i vëllai i saj, pra ai që më bie dajë. Ndali dhe më tha që të mos i thoshim gjë se kush isha. U ulëm në një bar, ai erdhi, u ul, më njohu dhe pa thënë asgjë u ngrit nga tavolina dhe iku”. Shikimi i Nazmi Bastriut është lehtësisht i lexueshëm në sytë e të birit, që megjithëse ashtu të ashpër, diku e lexon butësinë që mund të kishte pasur nëse nuk do të kishte bërë jetën që bëri.

Fotot

1. Nazmi Bastriu dhe Liri Kondi. Historia e “luftuar” e dashurisë mes së bijës së kolonelit Elmaz Kondi, që u martua me djalin rom;

2. Namzi Bastriu, krahas punës së krahut, ishte edhe një klarinetist shumë i mirë. Këndonte nëpër dasma në kohën kur ishte ende i lirë për të siguruar bukën e fëmijëve. Aq sa, në prag të vdekjes, kishte ende në buzën e tij të poshtme shenja të klarinetës. Pati thënë "Më plasi buza" duke iu referuar dhimbjes dhe klarinetës;

3. Liri Kondi, në një darkë familjare me të shoqin dhe tre djemtë, ku si rrallëherë ishte e ftuar edhe e motra e saj, Shpresa Kondi, e vetmja pjesëtare e familjes që i ruante marrëdhëniet me të motrën;

4. Liri Bastriu me grupin e grave rome të grumbullimit të mbeturinave, vend ku ajo punoi pas martese derisa u largua nga jeta;

5. Liri Kondi Bastriu me kunatën, motrën e Nazmiut.

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye  Mesazh [Faqja 1 e 1]

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi

Social Media Buttons