Duket se me përmirësimin e motit është bërë e mundur dhe zhbllokimi i disa rrugëve dhe zonave në rrang vendi. Për këtë arsye, në një deklaratë për shtyp, Zëdhënësi i Ministrisë së Brëndshme, Fatmir Konja, deklaroi se vijon puna intensive në ndihmë të banorëve të cilët kanë nevojë për ndihma. Ende të izoluara nga dëbora mbeten 27 komuna në mbarë vendin.
“Janë transportuar për në spitalin rajonal të Kukësit një i sëmurë nga fshati Buz, Komuna Bushtricë, dhe një grua me hemoragji nga Komuna Shishtavec. Janë transportuar për në spitalin e Bajram Currit dy gra të sëmura, nga fshatrat Zherkë dhe Rodogosh të Komunës Bytyç, si dhe medikamente në fshatin Degë, Komuna Dushaj. Është transportuar në spitalin e Kukësit një i sëmurë nga Komuna Golaj e Hasit.
Është kryer transport medikamentesh në fshatin Kir, Komuna Pult të Shkodrës. Është transportuar në spitalin e Pukës një fëmijë i sëmurë, nga fshati Kabash”, deklaroi ai.
Ndërkaq, akset rrugore kombëtare janë të hapura me përjashtim të segmenteve Qafë Mal- Qafë Shllak dhe Qafë Mal-Fierzë. Sot është punuar për hapjen edhe të këtyre segmenteve si dhe në akset rrugore që bashkojnë qendrat e komunave me akset kombëtare. Konkretisht është punuar nga forcat dhe mjetet e Drejtorisë Rajonale të Rrugëve dhe të Forcave të Armatosura për hapjen e rrugëve që lidhin akset rrugore kombëtare me qendrat e komunave Shalë, Shosh, Shllak, Pult, Kelmend, Iballë, Fierzë, Blerim dhe Qelëz.
Qarku i Kukësit- Sot është punuar nga forcat dhe mjetet e Forcave të Armasosura dhe Drejtorisë Rajonale të rrugëve për hapjen e segmentit prej 3 km Kukës-Qafë Shllak dhe Domaj-Draj Reç, po kështu në akset rrugore që lidhin me akset kombëtare qendrat e komunave Shishtavec, Bushtricë, Grykë Çaje, Kalis, Surroj, Lekbibaj, Llugaj, Bytyç dhe Arrën.
Qarku i Dibrës- Sot është punuar dhe ka përfunduar puna për hapjen e akseve rrugore kombëtare me qendrat e komunave Zall Dardhë, Trebisht, Arras, Luzni. Vijon puna dhe është pranë përfundimit, për lidhjen me akset kombëtare të qendrave të komunave Kala e Dodës, Selishtë, Lurë, Zall Reç, Ostren.
Në Qarkun e Korçës tashmë ka përfunduar puna për lidhjen e qendrave të komunave të bllokuara me rrugët kombëtare.