Ministrat Nishani dhe Ruli ishin gjatë së premtes në zonën e Pukës. Ata ndaluan në Pukë, Fush-Arrëz dhe Qafë Mali. Gjatë takimeve dhe vizitave në terren që bënë gjatë së premtes në zonën e Pukës, dy ministrat Genc Ruli dhe Bujar Nishani, u kanë kërkuar banorëve dhe krerëve lokalë që të bashkëpunojnë sa më shumë, pasi vetëm kështu mund të kapërcejnë vështirësitë.
Fillimisht ministri i Brendshëm dhe ai i Bujqësisë ishin në qytetin e Pukës, ku biseduan mbi punën e bërë për hapjen e rrugëve që lidhin fshatrat me Pukën dhe Fushë-Arrëzin. Më pas, ministrat kanë udhëtuar drejt Fushë Arrëzit dhe komunës Qafë Mali.
“Falë përpjekjeve sot shohim që po e fitojmë betejën, por do ta quajmë të fituar përfundimisht kur të kemi nxjerrë edhe banorin e fundit nga izolimi”, tha në komunën Qafë Mali ministri Genc Ruli. “Nga të dhënat rezulton se falë punës së mjeteve të ushtrisë dhe atyre të tjera, pjesa më e madhe e rrugëve drejt fshartave janë të kalushme. Në rrethin e Pukës janë hapur më shumë se 80 % e rrugëve. Ato nacionale janë të hapura, ndërsa po punohet për rrugët e fshatrave të bllokuara”- tha ministri i Bujqësisë.
Për të mos pasur asnjë bllokim, apo problem me ushqimin dhe të sëmurët, të dy ministrat kërkuan që të ketë njoftime dhe koordinim me shtabet e emergjencës.
“Kushtet janë shumë të vështira, por unë falenderoj krerët lokalë për angazhimin e tyre. Vlerësime kemi dhe për stafin që ka punuar në hapjen e rrugëve. Duam që me këtë nivel angazhimi të jenë dhe kryepleqtë e banorët”- tha ministri Bujar Nishani.
Ndërkohë, si anëtar i Komitetit Ndërministror, Genc Ruli tha se asnjë ndihmë në mjete, ushqime apo dhe financiare nuk do të mungojë.
“Takimi sot ka vlerë më shumë për raportimet tuaja, por njëkohësisht ka vlerë se ne sjellim konfirmimin që angazhimi i qeverisë ashtu siç ka qenë këto tre javë, do vazhdojë deri sa kjo situatë të kalojë. Solidariteti i popullatës së zonës është faktori kyç që na mundëson kapërcimin e vështirësisë. Shteti ka angazhuar gjithë ndihmat që disponon, fonde por dhe gjithë bazën logjistike. Ne e dimë që fondet dhe mekanika e kanë një limit në këto kushte të rënda, por çfarë nuk ka limit dhe fund është përkushtimi dhe bëshkëpunimi yne, angazhimi i qeverisë për të ndihmuar popullatën. Në këtë situatë beteje frontale me motin, përparësia numër një është jeta e njeriut”- tha gjatë vizitës në komunën Qafë Mali, ministri Genc Ruli.