Bulqizë, 17 shkurt 2012, NOA- Ndonëse rrezet e diellit të cilat shoqëruan vendin gjatë ditës së sotme, krijuan shpresën dhe besimin për lehtësimin e situatave në zonat e bllokuara nga dëbora, një denoncim i rëndë vjen nga Bulqiza.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, denoncimi është bërë nga familjarët e dy meshkujve babë e bir të cilët prej 5 ditësh kanë humbur gjurmët teksa ndodheshin në stan në Malin e Bardhë.
Sipas të dhënave për situatën në atë zonë thuhet se trashësia e dëborës në mal ka arritur mbi 3 metra duke vështirësuar kështu edhe lidhjen me ta.
Mësohet se si të zhdukur janë denoncuar Ilir Dedaj 60 vjeç dhe Dashamir Dedaj 28 vjeç të cilët ishin vendosur në mal në një stan ku mbanin bagëtitë.
Shqetësimi i familjarëve dhe i banorëve të zonës shtohet pasi në zonën ku ndodheshin dy familjarët është e pamundur futja e mjeteve dhe se hyrja e vetme mund të bëhet me helikopter, ndërsa një tjetër shqetësim është edhe mungesa e ushqimeve.