Tiranë, 17 shkurt 2012, NOA- Forumi Rinor Eurosocialist shqiptar ka denoncuar sot situatën e krijuar në fakultete lidhur për zgjedhjet që pritet të mbahen për Dekan dhe Rektor.
Në denoncimin e saj FRESSH, shprehet se kjo fushatë po shoqërohet me acarime dhe se kjo po bëhet me synimin e vetëm për manipulimin e rezultatit.
Sipas të rinjve eurosocialist thuhet se studentët po kërcënohen me provime dhe me notë në këmbim të votës së tyre, duke demonstruar kështu një përdhosje të sistemit akademik.
“FRESSH Tirana” denoncon dhunën, kërcënimin, dhe ofertat për të blerë votën e studentëve, ndërsa shton se sistemi i antivlerave po promovohet sot në bankat e fakulteteve nga pseudo-pedagogët që karrierën e tyre akademike e profesionale e kanë të mbështetur te klientelizmi dhe servilizmi ndaj pushtetit.