Presidenti i ri i grupimit të majtë në Parlamentin Evropian, Hannes Swoboda, dhe kreu i delegacionit euro-parlamentar për Ballkanin, Eduard Kukan, janë shprehur të habitur nga vendimi i gjykatës në lidhje me çështjen “Meta”.
Në një rrëfim për TCH, Kukan deklaroi se nuk dëshironte të komentonte vendimet e Gjykatave shqiptare por sipas tij korrupsioni është një problem shumë serioz në Shqipëri. “Unë e kam ndjekur këtë çështje dhe e di se pati disa ekspertë nga perëndimi, nga Shtetet e Bashkuara, të cilët bënë analiza që nuk u morën në konsideratë para vendimit përfundimtar. Pra kjo ishte ajo që kontribuoi në befasinë time”, tha Kukan.
Ndërkohë që Swoboda theksoi se do të jetë në interesin e Metës që të ftoj vetë ekspertët e jashtëm për të vlerësuar në lidhje me manipulimin e videove. “U befasova që një kërkesë e tillë u hodh poshtë por shpresoj që kjo gjë mund të korrigjohet sërish, pasi ne duhet ta mësojmë të vërtetën. Jo të vërtetën e njëanshme, por të vërtetën objektive”, u shpreh Sëoboda.
Ndërkohë që në lidhje me ngjarjet e 21 janarit, njëzëri, euro-deputetët kërkojnë hetimin e plotë, të pavarur dhe pa asnjë ndërhyrje politike, si dhe ndëshkimin e të gjithë autorëve. Të pyetur nga Top Channel se çdo të kishte ndodhur në vendet e tyre në një rast të ngjashëm, Kukan përgjigjet: “Një situatë e tillë është krejtësisht jashtë çdo lloj imagjinate. Nuk mund të ndodhë në vendin tim. Ka pasur demonstrata madje ka akoma demonstrata masive njerëzish, por policia po luan rolin në përputhje me ligjin”.