Një studim i fundit i NASA-s pohon se përbërësit e ADN-së - molekula që përmban udhëzimet gjenetike për jetën - të gjetura në meteoritë, sipas të gjithë gjasave janë krijuar në hapësirë. Studimi mbështet teorinë se një "komplet" pjesësh të gatshme kanë qenë formuar që në hapësirë dhe pasi kanë hyrë në Tokë nëpërmjet meteoritëve kanë ndihmuar kështu në fillesat e jetës te ne.
"Përbërës të ADN-së në meteoritë janë gjetur që në vitet 1960, por shkencëtarët nuk kanë qenë të sigurt nëse këto ishin formuar vërtet në hapësirë apo nga ndotja biologjike në Tokë," thotë dr. Majkëll Kalahani i qendrës së fluturimeve hapësinore "Godard" të NASA-s. "Për herë të parë provat i kemi në tri drejtime që, së bashku, na sigurojnë se përbërësit e ADN-së janë krijuar vërtet në hapësirë."
Zbulimi i shtohet grupit të provave që pohojnë se kimikatet brenda asteroideve dhe kometave mund të formojnë vetiu përbërës të qelizave themelore biologjike. Më parë shkencëtarët kanë gjetur dhe aminoacide (baza e proteinave) në kampionet e marra nga kometa "Wild 2" nga misioni "Stardust" i NASA-s, si dhe në meteoritë të tjerë të pasur me karbon.
Studimi i fundit u përqendrua mbi 12 kampione meteoritësh të pasur në karbon, 9 prej të cilëve janë gjetur në Antarktidë. Çdo kampion është marrë me solucion acidi formik dhe është kaluar në kromatograf me lëng, instrument që ndan përbërësit e materialit. Në vijim kampionet janë analizuar me spektrometër mase, për të përcaktuar strukturën kimike të përbërësve.
Pas analizës ekipi evidentoi adeninë dhe guaninë (përbërës të ADN-së, të quajtur dhe nukleobaza), si dhe hipoksanthinë e ksanthinë. Në shkallën spirale të ADN-ës adenina dhe guanina lidhen me dy nukleobazat e tjera për të formuar secilën ndarje të shkallës. Ato janë pjesë e kodit që i tregon aparatit qelizor se çfarë proteinash duhet të prodhojë. Ndërkaq hipoksanthina dhe ksanthina nuk gjenden në ADN, por përdoren në procese të tjera biologjike.
Gjithashtu, në dy prej meteoritëve, ekipi zbuloi për herë të parë gjurmë tre molekulash purine që punojnë me nukleobazat: purinë, diaminopurinë-2,6 dhe diaminopurinë-6,8; ku e fundit nuk përdoret thuajse kurrë në biologji. Këto përbërje kanë të njëjtën bërthamë si nukleobazat por me një strukturë të shtuar apo të hequr. Janë pikërisht këto molekula që quhen analoge të nukleobazave, që ofrojnë provën e parë se përbërësit e meteoritëve vijnë nga hapësira dhe jo nga kombinime tokësore.
"Këto analoge nukleobazash nuk do të gjendeshin këtu nëse vinin nga ndotja tokësore e materialit, pasi nuk përdoren në biologji, me përjashtim vetëm të një raporti se diaminopurina-2,6 është hasur në një virus (cianofagu S-2L)," thotë Kalahani. "Megjithatë, nëse asteroidet sillen si 'fabrika' kimike, duke lëshuar material parajetësor, do të ishte e pritshme që, falë shumëllojshmërisë së përbërësve dhe të kushteve në çdo asteroid, të prodhonin disa variante nukleobazash e jo thjesht ato biologjike."
Prova e dytë vjen nga analiza për të përjashtuar edhe më tej mundësinë e ndotjes tokësore të materialit. Ekipi analizoi një kampion akulli 8-kilogramësh nga Antarktida, ku u mor dhe shumica e meteoritëve të përdorur, me të njëjtën metodë që u përdor për meteoritët. Sasitë e dy nukleobazave dhe të hipoksanthinës e të ksanthinës të gjetura në akull, ishin shumë më të ulëta (në rendin për trilion) se të meteoritëve (që ishin në rendin për miliard). Për më tej, në kampionet e akullit nuk u gjet asnjë analog nukleobaze.
Duke qenë se njëri prej meteoritëve me analog nukleobaze kishte rënë në Australi, ekipi analizoi dhe dheun nga u mor kampioni në vendin e rënies. Ashtu si me rastin e akullit, as kampioni i dheut nuk përmbante analoget që u hasën në meteorit.
Së treti, ekipi gjeti se këto nukleobaza (biologjike dhe jobiologjike) ishin krijuar me anë të një reaksioni tërësisht jobiologjik. "Në laborator, një grup i ngjashëm nukleobazash dhe analogesh u prodhuan në rekasione jobiologjike me përmbajtje cianidi hidrogjeni, amoniaku dhe uji.
Kjo evidentoi mekanizmin e mundshëm të sintezës së tyre në trupin e asteroidit dhe mbështet idenë se këto janë jashtëtokësore," thotë Kalahani. "Në fakt, duket se ka një kategori të caktuar meteoritësh, të ashtuquajtur CM2, të cilët paraqesin kushtet më të favorshme për krijimin e mëtejshëm të këtyre molekulave," përfundon ai.