Një grup shkencëtarësh, studiuesish e filozofësh janë duke shqyrtuar mundësinë e një ndërhyrje radikale gjeo-inxhinierike për të ftohur tokën, në mënyrë që të ndalohet ngrohja globale. Pamjet e maleve pa borë në këtë periudhë kanë terrorizuar shumëkënd, ndaj shkencëtarët po kërkojnë një zgjidhje për problemin më të madh të shekullit.
Në një konferencë për klimën në Afrikën e Jugut është sugjeruar që rrezet e diellit që drejtohen për në Tokë, të reflektohen sërish në hapësirë, përpara se të godasin sipërfaqen e Tokës.
Sigurisht diçka e tillë do kishte një efekt të menjëhershëm dhe dramatik. Brenda pak vitesh temperaturat globale do ktheheshin në nivelin e 250 vjetëve më parë, përpara se revolucioni industrial të niste punën për të hedhur dyoksid karboni në ajër, çka solli rritjen e temperaturave, transmeton portali Editorial.
Por askush nuk e di se cilat do ishin efektet anësore. Në mënyrë të pandërgjegjshme mund të ndryshohen teket e motit dhe sasia e shiut që bie. Në raportin e përgatitur nga shkencëtarë në zë nga Britania, SHBA-ja e Italia, ka edhe të tjera propozime, që të gjitha shkojnë në një pikë: të ndërhyhet për të ndryshuar klimën në mënyrë artificiale. Të luash rolin e Zotit nuk është dhe aq e lehtë, sidomos kur nuk e di si do përgjigjet natyra.