Në botën e mashtrimit kibernetik, një adhurues i rremë në Instagram mund të vlejë pesë herë më shumë se numri i një karte krediti.
Ngaqë mediat sociale kanë ndikim të madh në formësimin e reputacionit, hakerët kanë përdorur aftësitë e tyre kompjuterike për të krijuar dhe për të shitur mbështetje të rreme – të tilla si “pëlqimet” dhe “ndjekësit” – që pretendohen të vijnë nga përdoruesit e Facebook, Instagram, Twitter, YouTube, LinkedIn dhe faqet e internetit të tjera të njohura.
Në raportet e fundit, një virus kompjuterik që përdoret gjerësisht për të vjedhur të dhënat e kartave të kreditit, i njohur si Zeus, është modifikuar për të krijuar “pëlqime” të rreme në Instagram, që mund të përdoren për të reklamuar një kompani apo individ, sipas ekspertëve kibernetikë në RSA, divizioni i sigurisë i kompanisë EMC Corp.
Këto “pëlqime” të rreme janë shitur në tufa prej 1,000 në forumet e hakerëve të internetit, ku kriminelët kibernetikë gjithashtu shesin numrat e kartave të kreditit dhe informacione të tjera të vjedhura nga kompjuterët. Sipas RSA, 1,000 “ndjekës” në Instagram mund të blihen për 15$ dhe 30$ për 1,000 “pëlqime”, ndërsa numrat e 1,000 kartave të kreditit kushtojnë më pak 6$.
Kjo mund të duket e çuditshme që llogaritë e rreme në mediat sociale vlejnë më shumë se numrat e kartave të kreditit, por ekspertët e marketingut online thonë se disa njerëz janë të gatshëm të shpenzojnë shumë për t’u bërë të famshëm në internet, duke kërkuar lëvizje për hir të vet ose për një qëllim biznesi , të tilla si duke bërë një produkt të ri të duket popullor.