Punonjesit e Yahoo t'u rikthehen zyrave per te punuar
Të punosh nga shtëpia është parë, të paktën deri më sot si e ardhmja e në këtë sektor. Por një vendim i Yahoo rrëzon këtë mit. Drejtoresha e re ekzekutive e kompanisë amerikane ka urdhëruar rikthimin në zyrë të të gjithë punonjësve të saj.
Vendimi ka ngjallur pakënaqësi dhe reagime. Në shumë e-maile dërguar drejtoreshës, punonjësit e Yahoo pretendojnë se nga shtëpia apo nga kontakti me njerëz nëpër kafene lindin idetë inovatore. Megjithatë, këto ankesa e pretendime nuk kanë ndërruar mendjen e shefes së re të Yahoo, Marissa Mayer. Ajo shprehet e vendosur që nga muaji qershor, të gjithë punonjësit e kompanisë të rikthehen në zyrat qendrore.
Vendimi nuk është i pari i këtij lloji. Edhe Google “po shtrëngon rripin” në këtë sektor. Kreu i motorit gjigant të këkimit i pyetur se sa punonjës nga shtëpia do të kishte kompania në të ardhmen, deklaroi: “Sa më pak që të jetë e mundur”.
Të dhënat tregojnë se që nga viti 2006 numri i personave që punojnë nga shtëpia është rritur me 56 përqind në Britaninë e Madhe dhe me 26 përqind në Shtetet e Bashkuara. Sipas kompanive që aplikojnë këtë lloj punësimi, fillimisht kjo u pa si e leverdishme pasi hiqte menjanë koston e transportit, por në gjithë këto vite dhe me shtimin e konkurencës, kërkohet më shumë rendiment, bashkërendim idesh dhe për më tepër, më shumë siguri për të mos dalë para kohe projektet inovatore.