Një 58-vjeçar u arrestua nga Policia e Fierit ditën e dielë, mbi bazën e dyshimeve se ka abuzuar seksualisht me të bijën 13-vjeçare.
Arrestimi ndodhi në Levan dhe nëse dyshimet do të rezultojnë të vërteta, ky krim do t’i shtohet një serie abuzimesh tepër shqetësuese ndaj fëmijëve, që kanë tronditur vendin gjatë javëve të fundit.
Sipas asaj që informuan burimet zyrtare, dyshohet se shtetasi me iniciale A.G. abuzonte prej disa kohësh, në mënyrë të vazhdueshme ndaj vajzës së tij minorene.
58-vjeçari, i lindur në Tropojë, ishte zhvendosur prej disa vitesh në jug të vendit dhe jetonte në Levan, pranë qytetit të Fierit.
Më parë gjatë marsit, u zbulua pedofili serial Ardian Prrenjasi, i cili pranoi edhe autorësinë për vrasjen e 11-vjeçarit Julian Çela.
Gjatë javës, një 53-vjeçar, baba i dy fëmijëve, u arrestua për letrat e dashurisë dërguar një 14-vjeçareje.
Në Durrës, gjithashtu gjatë javës, një 32-vjeçar u arrestua pasi tentoi të përdhunonte një 12-vjeçare, të shpëtuar pas britmave nga fqinjët e saj.
Për të, këtë të dielë u shpall masa e sigurisë burgim pa afat.
Arrestime të tjera abuzuesish të dyshuar me të mitur kanë ndodhur edhe në Korçë e periferinë e Tiranës, edhe këto raste vetëm gjatë muajit mars.