TIRANE - Policia e Tiranës zbuloi mbrëmjen e sotme një tjetër rast pedofilie në kryeqytet. Forcat e komisariatit numër 3 kapën në flagrancë një 67-vjeçar, i cili po tentonte të kryente marrëdhënie seksuale me një të mitur, në zonën e Zogut të Zi.
Burime për “News24” bëjnë të ditur se 67-vjeçari Pjetër Ndoi u kap nga policia i fshehur pas një kazani mbeturinash, në përpjekje për të bindur një 15-vjeçar të komunitetit rom, për të kryer marrëdhënie me të në këmbim të një shume të hollash.
Policia arriti të prangoste 67-vjeçarin, i cili do të dalë të premten përpara gjykatës ku do t’i komunikohet edhe masa e sigurisë.
Një ditë më parë policia e Tiranës është vënë në kërkim të një tjetër personi me prirje pedofilie. Prindërit e një të miture në Tiranë kanë denoncuar në polici një 40-vjeçar, me pretendimin se ka kryer veprime të turpshme me vajzën e tyre.
Nisur nga padia e prindërve, policia është vënë në kërkim të shtetasit Avni Bajraktari rreth 40 vjeç, banues në Qesarakë në Komunën Dajt, i cili dyshohet për abuzime me të mitur.
Momentalisht nuk ka detaje të tjera rreth ngjarjes, por mësohet se vajza është ngacmuar seksualisht nga 40-vjeçari në fillim të muajit mars në zonën e Qesarakës.