Eshtë zyrtare, qumësht kancerogjen në tregun shqiptar
Alarmi i dhënë nga autoritetet kosovare për qumësht të kontaminuar, i cili ka për origjinë Shqipërinë, ka rezultuar i vërtetë. Analizat e kryera nga ana e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, kanë zbuluar nivel mbi normalen të alfatoksinës. Këto analiza janë kryer pas një urdhëri të ministrit të Bujqësisë, Genc Ruli.
Alfatoksina është një lëndë e dëmshme për shëndetin, e cila mund të shkaktojë tumor të mëlçisë, hemoragji, enjtje, probleme në tretje, probleme në metabolizmin e organizmit, probleme mendore e deri në gjendje kome.
Pas këtyre analizave, AKU ka kërkuar që produktet e kompanive Primalat dhe Fast të hiqen nga tregu, ndërkohë që do bëhet një analizë e dytë. Nga a tyre, kompanitë në fjalë kanë reaguar duke thënë se bëhet fjalë për një sulm ndaj tyre, me qëllim dëmtimin e biznesit për shkak të konkurrencës.