Të jeshë mashkull do të thotë të jeshë më i rrezikuar nga sëmundja e zemrës dhe nuk është çudi se femrat janë të brengosura për zemrat e meshkujve. Po, a duhet femrat të brengosen për zemrat e tyre? A janë ato në rrezik nga sëmundja e zemrës? Sëmundja iskemike e zemrës (apo sëmundja koronare – emri rjedh nga arteriet koronare që dërgojnë gjakun në muskulin e zemrës për ta ushqyer) është vrasësi numër një i femrave! Në SHBA afro 500.000 femra vdesin çdo vit nga format e ndryshme të sëmundjeve të zemrës, e që është dy herë më tepër se nga të gjitha tumorët malinj së bashku. Nga kanceri i gjirit po në këtë shtet vdesin 42.800 femra në vit, dhjetë herë më pak se nga sëmundjet e zemrës! Besimi se sëmundja iskemike e zemres është e rezervuar për meshkuj është i gabueshëm, por, edhe i rrezikshëm, sepse zvogëlon kujdesin e femrës për zemrën e saj, zvogëlon interesin dhe luftën kundër faktorëve të rrezikut nga kjo sëmundje. Femra shpeshë injoron simptomet dhe i interpreton si pasojë e ndonjë sëmundje tjetër. Në anën tjetër statistika tregon se femrat në atakun e parë (infarkt i zemres) dy herë më shpeshë vdesin se meshkujt! Shërimi i sëmundjes koronare është më pak i suksesshëm te femrat. Baj pasit (by pass) 4 herë më shpeshë i nënshtrohen meshkujt se femrat, por edhe rezultatet e kësaj metode si dhe i angjioplastikës (zgjerimi i arterieve të ngushtuara koronare me balon) janë më të dobëta. Ndoshta është shpjegim më i thjeshtë se këto metoda te femrat zbatohen në moshën më të shtyer, atëherë kur janë të shpeshta sëmundjet tjera që e keqësojnë prognozën (sëmundjet e veshkave, infeksionet, sëmundja e sheqerit). Por, studimet dëshmojnë se edhe nëse krahasohen dy grupe, meshkujt e femrat të moshës së njëjtë, dhe përdoret medoda e njëjtë shërimi vdekshmëria te femrat është më e madhe.
Pse femrat nuk e marrin seriozisht këtë sëmundje vdekjepëruese!? Shkaku i parë është se ato nuk atakohen aq herët. Zakonisht, sëmundja koronare te femrat paraqitet 10 vjet më vonë se te meshkujt, por pas moshës 65 vjeçare rreziku nga kjo sëmundje është pothuajse i njëjtë në dy gjinitë. Shkak tjetër që modifikon kuptimin e rrezikut nga sëmundja koronare te femrat është fakti se studimet e mëdha e kanë marrë si subjekt mashkullin. Sot tentohet që dizajnimi (planifikimi) i studimeve të përfshin në të njëjtën masë femrat si edhe meshkujt. Sidoqoftë, informatat e sotit janë të mjaftueshme që femra së bashku me mjekun e saj ordinues të llogaritë rrezikun individual të sëmundjes koronare, të evidenton faktorët e rrezikut (pirjen e duhanit, sëmundjen e sheqerit, shtypjen e lartë të gjakut, majmërin, nivelin e lartë të kolesterolit në gjak, mungesën e aktivitetit fizik, stresin) dhe të fillon luftën kundër tyre. Estrogjeni (hormon i gjinisë femërore) mund të ketë efekt mbrojtës te femrat gjatë periudhës reproduktive. Ai e rritë nivelin e HDL-kolesterolit në gjak (kolesterolit “të mirë“) dhe e zvogëlon nivelin e LDL-kolesterolit (kolestreolit “të keq”), por pas menopauzës ky efekt humbë. Është vërejtë se marrja e “pilulave kontraceptive” përcillet me rritjen e rasteve të infarktit të miokardit për 3-4 herë. Pos kësaj te këto femra të shpeshta janë trombozat e venave të këmbëve si dhe tromboembolia mushkërore. Rreziku shumfishohet nëse femra që merrë kontraceptiv e pinë duhanin – pilula dhe duhani kurrsesi nuk “shkojnë” së bashku! Vlenë të përmenden edhe disa karakteristika të sëmundjes koronare te femrat. Kolesteroli I rritur në gjak është faktor rreziku sikurse edhe te meshkujt, por nuk është aq i fuqishëm. Arsyeja është se te femrat është i rritur HDL-kolesteroli i cili e mbron femrën nga sëmundja koronare. Nga ana tjetër, diabeti e rritë rrezikun nga sëmundja koronare për 7-10 herë te femrat. Nëse te këto femra zhvillohet infarkti i miokardit, komplikimet janë më të shpeshta dhe prognoza është më e keqe. Te meshkujt diabeti nuk është kaq faktor prognostik “i fuqishëm“. Nga kjo që u tha mund të konkludohet se sëmundja koronare nuk është sëmundje meshkujsh. Ajo atakon edhe femrat, diç në moshë më të shtyer se meshkujt, por manifestimet e saja atëherë janë më të rënda. Femrat, pra, duhet ta ruajnë zemrën e tyre! Jo nga meshkujt, sepse kjo është e pamundur, por nga sëmundja iskemike e zemrës - kjo është e mundur.