Historia e mbijetesës së familjes-xhuxhe hebraike
Eksperimentet e doktorëve nazistë me qëniet njerëzore nëpër kampet e përqendrimit ishin nga më mizoret dhe si objekt i tyre merreshin kryesisht hebrenjtë.
Historitë dhe fatet tragjike nga periudha më e errët e njerëzimit morën dhenë pas luftës, u shkruajtën libra, u bënë skenare, filma, dokumentare, u dhanë dëshmi nga persona që i kishin mbijetuar mrekullisht kampeve naziste.
Një histori e tillë është edhe historia e 7 xhuxhave hebrenj nga Hungaria, 2 meshkuj dhe 5 femra, motra dhe vëllezër. Ata përfunduan në kampin famëkeq të Aushvicit me një tren me 3500 bashkëkombas të tjerë.
Brenda pak orësh 3100 prej tyre përfundojnë në dhomat e gazit dhe krematorium, ndërsa 400 të tjerët u rezervuan për doktorët dhe eksperimentet e tyre makabre. Njëri ndër këta mjekë ishte Josef Mengele. Mengele mori përsipër eksperimentet me familjen e 7 xhuxhave duke i shpëtuar nga dhomat e gazit.
Ai i ndau vec nga të internuarit e tjerë në kamp dhe urdhëroi që të trajtoheshin mirë si dhe të laheshin cdo ditë pasi ishte i fiksuar pas higjenës. Pasi kaluan disa muaj kështu, nis horrori për familjen hebreje.
Njëra prej motrave xhuxhe, Perla Ovitz dëshmoi pas luftës se si Mengele u merrte sasi të mëdha gjaku nga trupi për punën e tij kërkimore. “Na merrnin aq shumë gjak sa shpesh na binte të fiktë dhe kur ende nuk kishim marrë veten nga marrja e gjakut, cikli i eksperimenteve niste sërish”, dëshmoi ajo.
Pasi i dha fund studimit të gjakut të xhuxhëve, Mengele vendosi të prezantojë “punën e tij kërkimore” përpara një grupi oficerësh të lartë të trupave SS. Në mungesë të fakteve të mbështetura në analiza të sakta, doktori nazist mori të shtatë motrat dhe vëllezërit hebrenj dhe i zhveshi para sallës.
Në fjalimine mbajtur para oficerëve të lartë SS, Mengele u mundua të “argumentojë se si raca cifute ishte duke shkuar drejt shkurtimit”, duke analizuar organet gjenitale të “7 liliputëve”.
“Zbulimi” i tij u prit me duartrokitje nga të pranishmit në sallë, ndërkohë që “kavjet e eksperimentit” u shoqëruan për në kamp. Me t’u kthyer Mengele, njëra prej motrave të internuara e pyeti se kur do të iknin në shtëpi.
Çfarë shtëpie?, ishte përgjigjja e tij. As unë s’po iki në shtëpi. Të qendrojmë këtu nuk e zgjedhim dot, është urdhër që duhet zbatuar.
Fatmirësisht shkëputja prej kampit do të mbërrinte pak muaj më vonë, kur u përhap fjala se ushtria ruse po avanconte në perëndim. Mengele u arratis, ndërsa familja cifute prej 7 xhuxhësh u rikthye në banesën e tyre në një fshat në Hungari.
Mengele u arratis në Argjentinë, ashtu sic bënë plot nazistë pas kapitullimit. Ai vdiq në vitin 1979. Ndërkohë, “liliputët” hebrenj udhëtuan drejt Izraelit në vitin 1949 ku ushtruan profesionin e mëparshëm, cirkun.
Gjashtë prej tyre, të rraskapitur nga lufta dhe torturat në kampin e përqendrimit ndërruan jetë brenda pak kohësh. Vetëm Perla, që u bë më vonë dëshmitarja e vetme e historisë së mbijetesës së tyre, vdiq në vitin 2001 në moshën 80-vjeçare.