Agjencia Amerikane e Hapësirës, NASA, ka realizuar një tjetër arritje historike me Sondën e Hapësirës Mars Curiosity: regjistrimin e parë të një zëri njerëzor nga Toka për në një tjetër planet dhe anasjelltas. Zëri i regjistruar i adminsitratorit të NASA-s Charlie Bolden përshëndeti anëtarët e ekuipazhit të sondës Curiosity.
Ai thotë: “Jam administratori i NASA-s, që po ju flas përmes sistemit transmetues të Sondës Curiosity, që tani ndodhet në sipërfaqen e Marsit.”
Zyrtari i NASA-s e vazhdon mesazhin e tij, duke thënë se dërgimi i një sonde në sipërfaqen e Marsit kishte qenë një ndërmarrje e vështirë dhe ai i përgëzoi punonjësit e NASA-s dhe partnerët privatë dhe qeveritarë të agjencisë për uljen me sukses të sondës në fillim të muajit.
Ai tha se është pikërisht kurioziteti që i shtyn njerëzit të eksplorojnë hapësirën. Zëri i regjistruar u publikua krahas me pamjet e fotografuara të relievit të ndryshueshëm të Marsit. Fotot paraqesin gryka malore dhe shkëmbinj të gërryer nga erozioni, ku dallohen qartë shtresat gjeologjike.
Drejtori i programit të NASA-s tha se shpreson që mesazhi nga Marsi do të frymëzojë dikë që të bëhet personi i parë që të shkojë në Mars. Sonda Curisosity ka tre javë që ka mbërritur për një mision dy-vjeçar në Mars. Ajo është pajisur me 10 instrumente shkencore që do të analizojnë një zonë e caktuar për studim, në se atje ekzistojnë kushtet e favorshme mjedisore për zhvillimin e jetës.
“Curiosity” kryen me sukses lëvizjen e parë në Mars
Eksploruesi i SHBA-së në Mars ka kryer me sukses lëvizjen e parë mbi planetin e kuq.
Inxhinieri i NASA Matt Heverly tha se eksploruesi me telekomandë dje arriti të zhvendoset 4.5 metra përpara dhe bëri një lëvizje 2.5 metra mbrapa. Ai tha se kjo përpjekje ka konfirmuar se sipërfaja mbi planetin e kuq është e ngurtë.
Fotografitë e dërguara nga “Curiosity” tregojnë gjurmët e gomave pas lëvizjes që kishte bërë. NASA thotë se “Curiosity” ka përfunduar me sukses marrjen e disa mostrave të shkëmbinjëve nga sipërfaqja e planetit të kuq.
“Curiosity” është i ngarkuar me pajisje për të ekzaminuar gjeologjinë, motin dhe nivelet e rrezatimit të planetit Mars. Ky është një mision dy-vjeçar, me vlerë 2,5 miliardë dollarë, që synon të zbulojë nëse jeta në Mars ka ekzistuar ndonjëherë apo nëse mund të jetë e mundur në të ardhmen.