Autostrada-miti i rremë i Hitlerit
Deri sot vazhdon të ekzistojë përshtypja e gabuar, se autostrada është një shpikje e nacionalsocialistëve dhe se me punën e ndërtimit u mënjanua papunësia në masë në Gjermani. Një gënjeshtër historike.
Adolf Hitleri ngul me forcë lopatën në rërë. Ngjitur me të qëndrojnë ushtarë. Njëri mban në duar një aparat fotografik, për të bërë një fotografi të führer-it dhe për të dokumentuar përurimin e punimeve edhe për një pjesë autostrade. Një motiv tipik, që në atë kohë ka qenë i përhapur në gjithë vendin. Më shpesh atje, ku u ndërtuan segmente të shkurtra të autostradës së Reich-ut (“Reichsautobahn”). Inskenimi kishte vetëm një qëllim: Aktivitetet duhet të arrinin qytetarët në gjithë perandorinë. Hedhja e lopatës së parë inskenohet me shumë kosto dhe përfundimi i rrugës festohet edhe një herë. Një transformim i çuditshëm, pasi vetëm pak vite më parë një pjesë e madhe e Partisë Nacionalsocialistëve Gjermane të Punëtorëve (NSDAP) bashkë me Partinë Komuniste e pati sabotuar ndërtimin e „rrugëve vetëm për automjete“, siç quheshin fillimisht pistat me pllaka betoni. Sipas tyre projektet për këtë ndërtim të madh do t'u “shërbenin vetëm aristrokratëve të pasur dhe kapitalistëve të mëdhenj çifutë“, argumentuan nazistët dhe nuk morën pjesë në negociatat politike për financimin e autostradave. Vetëm kur erdhi në fuqi Hitleri në vitin 1933 autostradat nisën t'u interesonin nazistëve për qëllimet e tyre. Deri në 1929-n ndërtimi i autostradave në Gjermani kishte dështuar për shkak të krizës ekonomike dhe të mungesës së kapitalit. Gjermania rënkonte nën pasojat e papunësisë masive, të hiperinflacionit dhe të pagesave të reparacioneve të Luftës I Botërore.
Vetëm kryetari i atëhershëm i bashkisë së Këlnit, Konrad Adenauer, ia kishte dalë në vitin 1932 të ndërtonte dhe të financonte autostradën e parë pa kthesa midis Këlnit dhe Bonit: A 555-ën e sotme. Segmenti ishte asokohe 20 kilometra i gjatë. Ai mund të përshkohej vetëm me 120 kilometër në orë (megjithëse atëherë shumica e automjeteve mezi arrinin 60). Zona përreth Këlnit konsiderohej në atë kohë si hapësira me më shumë trafik. Vetëm gjashtë muaj pas hapjes, rruga për makina u ul prej nacionalsocialistëve (ndërkohë në pushtet) në nivelin e një rruge kombëtare, për t'i dhënë vetes titullin e ndërtuesit të autostradës së parë. Në këtë mes kishin qenë që në 1909-n industrialistë të entuziazmuar për makinat dhe qytetarë me ndikim, të cilët ishin bashkuar duke u angazhuar për ndërtimin e një rruge, që bënte të mundur ecjen e makinave pa pluhur e baltë, pa karroca me kuaj dhe pa këmbësorë. Një shoqatë e themeluar më 1926-n u angazhua për ndërtimin e një rruge mes për mes Gjermanisë (nga Hamburgu, përmes Frankfurtit, deri në Bazel). Nisma „HaFraBa“ ndeshi fillimisht në refuzim nga ana e nazistëve, pas marrjes së pushtetit nga Hitleri planet për „HaFraBa“ u morën pjesërisht siç ishin nga Hitleri; emri i shoqatës u shndërrua në „Shoqëria për përgatitjen e autostradës së Reich-ut“.
Historianët thonë sot se Adolf Hitleri shfrytëzoi një lëvizje për mobilitet në rritje, e cila po ravijëzohej në mbarë botën. Megjithatë, ai dalloi mundësitë për t'i prishur mendjen me një sipërmarrje (fillimisht të pakuptimtë) një kombi dhe për të siguruar pushtetin e vet. Sepse ishte e qartë: vetëm pak gjermanë mund t'i lejonin vetes luksin e një makine personale e kësisoj edhe për shfrytëzimin e autostradave. Çdo vit duhet të përfundoheshin 1.000 kilometra autostradë. Ky ishte urdhri i Hitlerit. Ndërtimi i autostradave duhet të siguronte të paktën 600.000 vende pune, por në kohët e ngarkesës maksimale punonin vetëm 120.000 punëtorë. Deri në vitin 1941 ishin ndërtuar vetëm 3.800 kilometra autostradë.