Sot çokollata llogaritet si ushqim luksoz me të cilin duhet të keni kujdes pasi shkakton migrenë dhe shëndoshje.Për disa mjekë, kjo mbetet e diskutueshme, por sipas disa hulumtimeve
të reja shkencore është vërtetuar se çokollata ose kakaoja, nëse
konsumohen në sasi të kufizuara, janë të dobishme për organizmin dhe
ndihmojnë në mosshfaqjen e sëmundjeve të zemrës, kancerit dhe disa
sëmundjeve të tjera.
Përbërja nutritive
Përbërja nutritive e çokollatës ndryshon në varësi te recetës. Në
përgjithësi, çokollata përmban këto lëndë ushqyese: proteina, të cilat
janë të nevojshme për rigjenerimin e qelizave; yndyrna, kryesisht
yndyrna të ngopura deri në masën 50 për qind; Vitaminë E, vitaminë
liposolubile, e nevojshme për membranën e qelizës;
Kalcium; fosfor dhe magnezium; minerale esenciale për kockat dhe
dhëmbët; hekur, i nevojshëm për formimin e hemoglobinës; kafeinë,
stimuluese e sistemit nervor; bakër, i cili ndihmon në metabolizmin e
hekurit, formimin emelaninës (në lëkurë dhe flokë) dhe funksionin e sistemit nervor
qendror; fitokemikaliet,(siç janë flavonidet) me ndikim antioksidues.
Kokrrat e kakaos, që janë përbërja kryesore e çokollatës, përmbajnë më
shumë se 600 fitokemikalie (lëndë kimike bimore), duke përfshirë
antioksidantët që mbrojnë nga sëmundjet e zemrës dhe nga kanceri.
A shkakton çokollata migrenë?
Me migrenë nënkuptohen kriza të rënda të dhembjeve të kokës të
shkaktuara nga spazma e arterieve të trurit. Këto kriza mund të
shkaktohen nga faktorë të shumtë, midis të cilëve shpesh përmendët edhe
çokollata. Megjithatë, nuk ka dëshmi të sigurta për këtë, sepse të
shumica e të sëmurëve që shkojnë deri në kriza, në të njëjtën kohë është
e nevojshme edhe prezenca e faktorëve të tjerë, siç janë stresi,
lodhja, shqetësimi dhe disbalanci hormonal. Po kështu, në këtë sëmundje
mund të ndikojnë edhe disa ushqime dhe uria.
A shkakton çokollata akne dhe puçrra?
Besohet që disa ushqime mund të sjellin probleme deri të keqësimi i
akneve, mes të cilave shpesh akuzohet çokollata. Por për këtë nuk ka
dëshmi. Sipas hulumtimeve të reja, të çokollata nuk janë identifikuar
përbërje që do të shkaktonin akne apo keqësim të tyre. Megjithatë,
besohet se indeksi glikemik i lartë, i kombinuar me konsumimin e madh të
sheqernave të rafinuara te çokollata, mund të jetë në relacion me
shfaqjen e puçrrave.
A shkakton çokollata shëndoshje?Nëse dikush ha rregullisht çokollatë më shumë sesa janë nevojat e
tij, teprica e kalorive që ka çokollata do të kalojë në formën e
yndyrnave. Çokollata ka vlerë të madhe energjetike, që do të thotë se
përmban më shumë kiloxhaula në raport me masën e saj, përafërsisht 2200
kiloxhaula në 100 gramë. Nëse rregullisht konsumohet ushqim energjetik i
pasur, kjo është sigurisht mënyra më e shpejtë që të fitohet peshë. Në
fakt, fajtori për këtë nuk është vetëm çokollata dhe ushqimet specifike,
por ngrënia e tepërt në tërësi. Sipas mjekëve, është e sigurt se nëse
dikush ushqehet shëndoshë, mund të hajë dhe çokollatë në sasi të
kufizuar, duke mos u trembur se do të shtojë në peshë. Për shembull,
kuzhina tradicionale meksikane e përdor çokollatën e errët në receta me
mish të kripur dhe me zarzavate. Çokollata e konsumuar në mënyrë të
tillë ka vlerë më të vogël energjetike, pasi është e holluar me ushqime
me energji të ulët.
A mund të konsumojnë diabetikët çokollatë?
Diabetikët mund të konsumojnë sasi të vogla të çokollatës pasi nuk ka efekte të dëmshme mbi kontrollin e glikemisë.
A e rrit çokollata kolesterolin në gjak?
Çokollata mesatarisht përmban 50 për qind yndyrna. Është e njohur që pas
konsumimit të një ushqimi, i cili është i pasur me yndyrna të ngopura,
rritet kolesteroli në gjak. Te çokollata lloji kryesor i yndyrnave të
ngopura është acidi stearik. Ky lloj acidi nuk ndikon në sasinë e
kolesterolit në gjak. Kjo do të thotë së ata që duan të zvogëlojnë
marrjen e yndyrnave të ngopura, për të normalizuar kolesterolin mund të
konsumojnë lirisht çokollatë por në sasi të vogla.
Mbrojtja nga sëmundjet e zemrës dhe kanceriKokrrat e kakaos përmbajnë antioksidantë, të cilët kanë rol në
prevencën e disa sëmundjeve. Substancat, të quajtura katehine, e
zmadhojnë rezistencën ndaj sëmundjeve degjenerative, siç është kanceri
dhe sëmundjet e zemrës. Katehinet gjithashtu gjenden edhe të pemët dhe
perimet, por organizmi ka nevojë edhe për katehine të llojeve të
ndryshme, siç janë ato që gjenden te çaji dhe çokollata. Në krahasim me
çajin, përmbajtja e antioksidantëve te çokollata është më e madhe.
Çokollata, veçanërisht çokollata e errët, është burim i shkëlqyeshëm i
katehineve. Ekzistojnë dëshmi se kakaoja ndihmon në prevenimin e
oksidimit të kolesterolit në gjak dhe zvogëlon tendencën për ngjizjen e
gjakut (tromboza). Megjithatë, që të thuhet se a ndikon kakaoja te
zemra, nevojitën më shumë dëshmi. Në përgjithësi, bazuar në hulumtimet e
deritanishme, nuk është vërtetuar ndikimi i antioksidantëve në
prevencën e sëmundjeve të zemrës.
Kakaoja kundrejt çokollatës
Nëse doni ta zmadhoni konsumimin e antioksidantëve dhe njëkohësisht
konsumimi i kalorive në tërësi të jetë i ulur, provoni të pini kakao në
vend që të hani çokollatë, pasi përmbajtja e yndyrnave të kakaoja është
më e ulët. Çaji gjithashtu përmban kafeinë (edhe pse jo aq shumë sa
kakaoja dhe çokollata), por nuk përmban yndyrna. Për këtë arsye,
çokollatën nuk mund ta cilësojmë si ushqim të shëndoshë, sepse ajo
përmban dhe komponentë të tjerë, të cilët potencialisht janë të
padëshiruara nëse konsumohen në sasi të mëdha. Nga ana tjetër, njerëzit
që konsumojnë në sasi të kufizuar çokollatën, nuk duhet të ndihen
fajtorë për këtë gjë./tiranaobserver/