TIRANE - Gjykata e Tiranës i ka dhënë fund shqyrtimit gjyqësor për pesë bullgarët e akuzuar për klonim të kartave të bankomateve duke i dënuar gjithsej me 20 vite burg dhe 2 milionë lekë gjobë. Pas 10 seancave gjyqësore, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Artan Gjermeni, i ka shpallur fajtorë pesë shtetasit e huaj, mbi të cilët rëndon akuza e “mashtrimit kompjuterik” më shumë se një herë.
Gjykata ka dënuar secilin nga të akuzuarit me nga 6 vite burg dhe 600 mije lekë gjobë por për shkak të pranimit të akuzës ata përfitojnë uljen e një të tretës së dënimit duke vuajtur vetëm 4 vite burg dhe 400 mije lekë gjobë. Sipas gjykatës të pandehurit Dragomir Bonev, Ivo Ivanov, Nikolay Tsonev, Pavel Milenov dhe Aleksandar Kolev kanë bashkëpunuar me njeri-tjetrin, me qëllim kopjimin e të dhënave të kartave bankare që u përkasin klientëve te bankave shqiptare të nivelit të dytë “Raiffeisen”, “Intesa Sanpaolo”, “Union Bank” dhe “ProCredit Bank”.
Kopjimi i të dhënave bankare është realizuar me anë të vendosjes në ATM-të e bankave, të disa pajisjeve elektronike “Skimmer”, të përshtatura për kopjimin e të dhënave të kartave dhe ruajtjen e tyre.