TIRANE – Policia e Tiranës ka sekuestruar sot në fshatin Zallbastar të kryeqytetit atë që dyshohet të jetë rreth 3 mijë rrënjë kanabis. Bimët e bllokuara nga forcat e rendit u gjendën në oborrin e shtëpisë së një banori të fshatit si dhe në tokën e tij që ndodhet jo larg banesës.
Por pronari i shtëpisë, emri i të cilit ende nuk është bërë i ditur, pretendon se bëhet fjalë jo për marijuanë por për bimë të egra, mësoi Shqiptarja.com dhe TV A1Report nga burime të sigurta të Policisë së Tiranës. Për këtë, forcat e rendit kanë thirrur edhe një ekspert të antidrogës i cili do të përcaktojë natyrën e bimëve të sekuestruara.
Nëse do të vërtetohen dyshimet e policisë, pronari i shtëpisë dhe tokës ku u gjetën këto bimë pritet të prangoset dhe ndaj tij të nisë procedimi penal.