Dy persona të dyshuar për planifikimin e një sulmi terrorist janë arrestuar në Danimarkë, ka bërë të ditur Shërbimi për Sigurinë dhe Inteligjencën, PET.
Dy personat, që janë vëllezër të lidhur me një grup militant islamik nga Somalia, u arrestuan në orët e vona të ditës së hënë, ka bërë të ditur shërbimi sekret danez.
Një prej tyre u arrestua në qytetin Arhus, ndërsa tjetri në aeroportin e Kopenhagenit, sapo ishte kthyer në kryeqytetin e vendit nordik. PET deklaron se arrestimet kanë parandaluar një akt të vërtetë terrorist.
Dy personat janë shtetas danezë me origjinë somaleze, të moshave 18 dhe 23 vjeç dhe kanë jetuar për 16 vjet në Arhus.
Autoritetet njoftojnë se ata kishin diskutuar për metodën, objektivin dhe llojin e armëve që do të përdoreshin në sulmin terrorist. Ato shtojnë se një nga vëllezërit është stërvitur në një kamp të grupit Al Shabab, në Somali.
“Një akt konkret terrorizmi është shmangur dhe për rrjedhojë niveli i sigurisë në Danimarkë nuk është lëvizur, pavarësisht se ai mbetet i lartë”, bëri të ditur PET përmes një komunikate.
Dy personat e arrestuar do të dalin përpara trupit gjykues gjatë së martës, nën akuzat që parashikon ligji kriminal danez.