Mbreterësha e Spanjës refuzon Mbretëreshën e Anglisë
Mbretëresha Sofia e Spanjës ka anuluar një vizitë në Britaninë e Madhe për të shënjuar Jubileun e Diamantë të Mbretëreshës Elizabeta, për shkak të përplasjeve për Gjibraltarin.
Në një deklaratë të qeverisë spanjolle thuhet se nuk ishte e përshtatshme që Mbretëresha Sofia të marrë pjesë në drekën e ditës së premte.
Sipas BBC, Britania e Madhe dhe Spanja kanë pasur përplasje në lidhje me të drejtat e peshkimit në Gjibraltar, një territor britanik që pretendohet edhe nga Spanja.
Edhe bashkëshorti i Mbretëreshës Sofia, mbreti Huan Karlos, e ka hedhur poshtë ftesën për të premten.
Në vitin 1981, çifti mbretëror spanjoll refuzoi një ftesë për dasmën e Princit Çarls me Dianën për shkak se planifikonin të vizitonin Gjibraltarin si pjesë të muajit të mjaltit.