Një superhënë, më e madhja e vitit 2012 do të shfaqet në qiell mesnatën e 5 Majit duke u gdhirë 6 Maj.
Superhëna do t’i afrohet tokës në një distancë të afërt dhe do të përngjasojë me një sferë të shndritshme të përmasave gjigande, apo edhe me diellin.
Në fakt madhësia e saj nuk ka të bëjë me ndonjë fenomen të rrallë natyror, por me afërsinë dhe largësinë ndaj planetit tokë.
Do të jetë hënë e plotë dhe do të shfaqet në 3 e 35 me orën Grinuiç ose në 5 e 35 me orën e Tiranës.
Distanca me tokën do të jete vetëm 356 mijë e 955 kilometra.
Hëna do të duket 14 për qind më e madhe se zakonisht dhe 40 për qind më e shndritshme. Ndonëse do të jetë një pamje mbresëlënëse, superhëna e mesnatës së 5 dhe 6 Majit nuk do të jetë më e madhe se ajo e 19 majit të vitit të shkuar, ku hëna iu afrua tokës në një distancë 356 mijë e 575 kilometra.
Hënës i duhen plot 27 ditë për t’u rrotulluar rreth tokës, periudhë kohore, në të cilën ajo afrohet dhe largohet nga perimetri i tokës duke krijuar distancën më të madhe dhe atë më të vogël.
Hëna e plotë shfaqet atëherë kur dielli dhe hëna janë në vijë të drejtë, por kur kjo ndodh në distancën më të afërt mes tokës dhe hënës, atëherë shfaqet ajo që astrologët e quajnë Super Hëna.