Cunami gjigand mbrojti grekët nga pushtuesit persianë
Gjeologët gjermanë kanë zbuluar se një cunami, i treguar edhe nga historiani grek Herodoti, në fakt mbrojti një fshat grek nga pushtuesit persianë.
Sipas BBC, ata kanë gjetur prova në veri të Greqisë për ngjarjen e vitit 479 Përpara Krishtit. Cunami shpëtoi fshatin Potidea.
Herodoti tha se valët gjigande vranë qindra ushtarë persë gjatë rrethimit të fshatit.
Shkencëtarët e universitetit Aachen thonë se ajo zonë mund të përballet sërish me një ngjarje të tillë.
Zakonisht mendohet se bregu jugor i Greqisë është i rrezikuar nga cunami, por tani shkencëtarët thonë se në rrezik është edhe bregdeti verior.
“Pastaj erdhi një valë gjigande mbi persët, më e madhe se asnjëherë më parë, edhe pse vendasit thonë se aty ka valë të mëdha. Kështu që ata që nuk mund të notonin, u zhdukën, ata që mundeshin, u masakruan nga burrat e Potidaias,” shkruan Herodoti.