Muzeu i Luvrit në Paris ishte më i vizituari në botë gjatë vitit 2011, lexohej në të dhënat e publikuara nga e përditshmja “Art Newspaper”. Publikimi i përvitshëm tregoi se pothuajse 8,9 milionë persona vizituan muzen e famshëm parizien, një rritje totale prej 5% në krahasim me një vit më parë.Menjëherë pas tij renditej Muzeu Metropolitian i Nju Jorkut, ndërsa Muzeu Britanik plotësonte treshen. Dy muze të tjerë londinezë, Galeria Kombëtare dhe “Tate Modern” renditeshin në vendin e katërt dhe të pestë, përkatësisht.Luvri vazhdon të kryesojë për të pestin vit rradhazi, që kur fitoi vendin e parë në vitin 2007 ndërsa piktura “Mona Lisa” e Leonardo da Vinçit vazhdon të konsiderohet si “magneti” kryesor i institucionit për turistët.Vizitat nëpër muze kanë shënuar një rritje të re edhe në 2011-n, pavarësisht se numri i turistëve, frekuentuesit kryesorë të muzeve, ka shënuar një ulje. Kryeredaktori i “Art Newspaper”, Javier Pes, komentoi shifrat: “Në 2011-n, ishin muzetë amerikanë ata që vuajtën më shumë krizën ekonomike, me buxhetet e tyre që u reduktuan ndjeshëm, duke i detyruar që të anullonin disa aktivitete. Megjithatë, për muzetë e mëdhenj, kriza nuk është e ndjeshme sepse koleksionet e tyre të mëdha vazhdojnë të tërheqin në mënyrë të vazhdueshme vizitorë. E vërteta është se muzetë, vazhdojnë të mbajnë çmime shumë të ulta për një biletë hyrëse, në krahasim me vlerat që kanë në brendësi”.Në renditjen e publikuar, befasonte fakti që muzeu i Vatikanit në Romë, nuk përfshihej në dhjetëshe, ku përveç muzeve të lartpërmendur, figuronte edhe Galeria Kombëtare e Uashingtonit, Muzeu i Pallatit Kombëtar në Tajvan, Qëndra Pompidu në Paris, Muzeu Kombëtar i Koresë dhe Muzeu i Orsej në Francë.
TCH
TCH