Charles Darwin, hartuesi i teorisë së evolucionit, e cila edhe sot vazhdon të përçajë studiuesit, kishte të drejtë rreth faktit që jeta në Tokë nuk ka nisur në ujë, por në tokë.
Të paktën kështu argumentohet nga një studim i publikuar në “National Academy of Science”, pasi disa kërkues realizuan disa prova mbi përbërësit kimikë të disa prej shkëmbinjve më të vjetër të planetit.
Profesori Armen Mulkidjanian dhe kolegët e tij, pas analizave disa mujore, arritën në përfundimin se oqeani dhe mjediset e tjera ujore nuk kanë balancën e duhur të përbërësve që favorizojnë krijimin e jetës.
Për herë të parë, një pretendim i tillë është ngritur nga “babai i evolucionit”, Darwin, në shekullin XIX.
Megjithatë, teoria e tij, e shumëkritikuar nga kisha dhe teoria e Mulkidjanian, kanë gjetur kundërshtarë të fortë në sferat e larta shkencore.
Disa studiues të tjerë vunë në dukje se në kohën kur referohet studimi, 3,8 miliardë vjet më parë, Toka ishte e bombarduar nga meteorë, prandaj do të kishte qenë e pamundur që gjallesat të mbijetonin në sipërfaqe dhe jo në thellësi të ujit.