Faqja e internetit e agjencisë amerikane të inteligjencës, CIA, është me akses të bllokuar për shkak të një sulmi informatik të marrë përsipër nga grupi i hakersave Anonymous.
“CIA tango down”, ka njoftuar një anëtar i grupit të piratëve në profilin YourAnonNews në rrjetin social Twitter, që përdoret rregullisht nga organizata.
“Tango down”, në gjuhën ushtarake të forcave speciale do të thotë se armiku është eleminuar. Nga ana e saj, CIA nuk ka bërë ende asnjë koment.
Muajin e kaluar Anonymous çaktivizoi për një kohë të shkurtër faqet e internetit të Departamentit amerikan të Drejtësisë dhe FBI-së, si kundërsulm ndaj mbylljes së faqes së internetit MegaUpload, të akuzuar për pirateri.
Hakersat e Anonymous arrijnë të bllokojnë faqet e internetit duke u dërguar atyre një numër të madh pyetjesh në të njëjtën kohë, ose duke depërtuar në servera dhe duke marrë dokumenta të rezervuara, të publikuara më pas në rrjet.
Lista e viktimave të grupit është tejet e gjatë. Së fundmi piratët e tij kanë vjedhur dokumente sekrete nga serveri i Parlamentit gjerman dhe kanë arritur të marrin në dorë mesazhet e 78 këshilltarëve të presidentit sirian Bashar al Assad.
Gjithashtu, piratët kanë transmetuar në rrjet një video-konferrencë mes FBI-së dhe Scotland Yard mbi luftën kundër piraterisë informatike.
Në rrjet kanë përfunduar gjithashtu edhe të dhënat e Henry Kissinger, pasi u vodhën nga serveri i një kompanie sigurie në Teksas të Shteteve të Bashkuara.