Derisa Izraeli vazhdon bombardimin e Gazës, grupi i hakerëve i njohur si Anonymous, ka vendosur ta mbajë anën e palestinezëve, duke nisur një sulm digjital në faqet qeveritare izraelite.
Anonymous që të enjten në mëngjes kanë paralajmëruar se do t’i thyejnë faqet e Ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit, të kryeministrit Benjamin Netanyahu, si dhe faqet tjera që lidhen me qeverinë e Izraelit.
Në rrjetin social Twitter ata kanë kërkuar nga mbështetësit që të thyejnë 40 faqe. Grupi është i njohur sulmet DoS që “trullosin” trafikun e faqes, gjë që shkakton rënien e saj.
"Populli i Gazës dhe ‘territoret e okupuara’, dijeni se Anonymous qëndron pranë jush në këtë luftë. Ne do të bëjmë gjithçka që të ndalojmë forcat e liga luftarake izraelite që janë vërsulur në ju. Do të përdorim të gjitha mjetet për t’ju siguruar qasje në Internet dhe që botës të mund t’ia dëshmoni përjetimet e juaja”, thuhet në deklaratën e tyre.
Grupi i hakerëve ka postuar një lajm në një faqe interneti ku thonë se ata kanë arritur të rrënojnë faqen e një shërbimi të sigurisë së Izraelit. Në deklaratë gjendet fotografia që shfaq ndërtesa të djegura në Gazë, me porosinë: “Ne, Anonymousët, nuk do të rrimë duar kryq e të shikojmë se si shteti qyqar sionist shkatërron jetët e pafajshme".
Grupi i haktivistëve ka publikuar një pako të mjete me ndihmën e të cilave palestinezët do të jenë të kyçur në internet, nëse Izraeli synon shkyçjen e linjave në Rripin e Gazës.
Pavarësisht kërcënimeve të ashpra, misioni i tyre deri tash nuk ka shkaktuar dëme tek faqet që synojnë t’i rrënojnë, raporton “Huffington Post”.