Studentët që e adhurojnë këngëtaren Beyonce së shpejti do të kenë mundësi të studiojnë lidhur me yllin pasi Rutgers University në SHBA e ka futur atë në planprogramin e arsimit.
Burri i saj, reperi Jay-Z, tashmë është nderuar nga Universiteti i Georgetown me një kurs sociologjie me emrin e tij, por tash është radha e Beyonces që të ligjërohet për të nëpër amfiteatro universitetesh.
Departamenti i Studimeve Gjinore të Universitetit të Rutgersit së shpejti do të fillojë kursin për rëndësinë shoqërore dhe kulturore të imazhit muzikor të yllit të Destiny Child.
Kursi “Politizimi i Beyonces” do t’i lejojë adhuruesit e pop kulturës të eksplorojnë alter egon e këngëtares Sacha Fierce dhe të debatojnë kufirin e kontrollit që ajo ka mbi imazhin e saj.
Studentët po ashtu do të debatojnë nëse personifimi si një femër provokative e veshur me të kuqe është një shembull i forcimit të pozitës së gruas në shoqëri ose kjo thjeshtë i përket stereotipeve gjinore të kulturës perëndimore.
Profesor i këtij kursi është kandidati i doktoraturës së Universitetit Rugers Kevin Allred, i cili sqaron rëndësinë e kursit në faqen e internetit të universitetit.
“Është e vërtetë që ajo lëvizi çdo kufi. Derisa artistët tjerë thjeshtë publikojnë muzikë të re, ajo krijoi edhe një narracion të përkryer përreth jetës së saj, karrierës dhe personalitetit”.
Studentët po ashtu do të diskutojnë për këngëtarët tjera ikonë si Lady Gaga, Billie Holiday dhe Nina Simone. Nuk dihet se çfarë mendon këngëtarja e lindur në Texas, e cila u bë nënë për herë të parë në fillim të këtij muaji, për lëndën e re në kurrikulën e universitetit.