21 Gusht
Krisi poterja. Edhe plani i Hamitit dështoi. Ai i a kishte zbulue babës dashunin t'onë dhe i a kish kujtue detyrën që i takon, si atë, për me e pëlqye dhe bekue bashkimin t'onë. Por ai, në vend që të mendohesh ndopak mbas këtij zbulimi, ishte zemërue dhe egërsue keq. Ishte zanë me Hamitin dhe s'kishte lanë fjalë pa i thanë. Hamiti i shkretë, për hatër t'em, e kishte durue dhe nuk e kish prishë me të. Ai ende shpreson se do t'a ndreqi punën me të mirë. Kur erdhi im atë në mbramje ishte krejt duf e mëllef. Më shiqoi me nji farë egërsije që kujtova se më
përpiu.
- Rri urtë, se eshëhedubil-lah t'a marr shpirtin moj murtajë! - m'a bani dhe u turr të më sjelli.
Un ika dhe u mbylla në kthinën t'eme. Ai vazhdoi të flasi me zemërim e me za të naltë.Sot në rnëngjes, tue i theksue fjalët dhe tue u mshue rrokeve me za të fortë, i tha njerkës që të më porosisi për me mos shkelë ma në shtëpi të Xha Simonit. Un, e shtangun dhe e trishtueme, e ndigjojsha nga kthina e eme. Ky ndalim më pezmatoi shumë, pse nuk do të mundem me u pamë e me kuvendue ma me ata që më duen e sidomos me Shpendin. Tash u burgosa dhe u robnova plotsisht. Për kët shkak nji kohë të gjatë derdha lot deshpërimi dhe e shpraza krejt vënerin e zemrës. Edhe tash, që dukem si e qetsueme, syt e mij janë plot dhe pikat e lotvet bijen mbi këto fletë që po shkruej. Oh sa fatzezë paskam qenë. Sigurisht i vjen keq t'im ët për vorfënin e vobsin e nji njeriut, por nuk i vjen keq për mjerimin shpirtnuer që don me i shkaktue së bijës; m'a merr mendja se i dhimset i sëmuni, por nuk i dhimset e bija që lëndon nga zemra; besoj se i vjen keq për të trenuemin, por nuk don me kuptue se po e shkallit të bijën me kryeneçin e vet të paarësyeshme; pa dyshim e urren vrasësin, por nuk e merr vesh se vetë po e vret të bijën me pengimet që po i nxjerr për me mos u martue me dashnorin e saj. Përse ai për mue tregohet kaq i keq, kaq i egër, kaq i padhimshëm? Përse nuk pajtohet shpirti i em me t'atij? S'dij.
23 Gusht
Ishte vrahthtue Irena tue kujtue se jam sëmunë. Prandaj erdh sot e më pyeti se pse nuk kisha shkue ndër to. I a spjegova shkakun me pikëllim të madh dhe u zhgreha në vaj. Edhe ajo s'u mbajt. Qau për mue e për fatkeqsin t'eme. Lotët e saj, për mue të ngratën qenë si pika shiu mbi nji lule që krruset e nis me u vyshkë. Ndiva nji farë ngushullimi kur pashë se ajo ndinte dhimë dhe qante për mue. Ata lot, për mue, vlejnë ma shum se nji varg margaritarë të kushtueshëm. Kur u ndamë e porosita, me zemër të coptueme, që t'a përshëndette Shpendin nga ana e eme. U puthëm me dashuni dhe u ndamë me sy të mbushun plot me lot.
25 Gusht
Sot në mëngjes kishte ardhë ke na Kumja, e shoqja e Xha Cenit që kemi fqi. E kishte marrë me vetëhe edhe djalin e saj motak. Kumes nuk i rrojnë fëmijt. Shpesh i asht djegë zemra tue mbulue nën tokë ajkën apo pemën e jetës së vet.
- Zoti i ep, Zoti i merr - thotë ajo me nji besim të plotë kur bahet fjalë mbi vdekjen e fëmij.vet të saj. Kur i sëmuhen fëmijt nuk merr doktor. Përpiqet me i shërue me prime plakash dhe me hajmalia. Doktori kurrë s'ka shkëlë në shtëpi të saj, me gjith që i kanë vdekë aq fëmij. Salihun - emni i djalit - e ruen si dritën e syvet dhe mundohet me e rritë mirë, ashtu si e kupton ajo këtë të mirë. Që t'a mprojë çunin nga mordja shtrigë i ka mvarë në qafë nji gTumbull hajmalia, si ndonji varg gështenja. Kur flen foshnja, natyrisht, e vrasin këto dhe s'e merr gjumi. Ajo kujton se asht sëmunë dhe s'don të besojë se mund t'a vrasin hajmaliat. Kur e shef njeriu këtë foshnje me shum shenja gandimi në shtat, i bahet të besojë se ajo dikur ka qenë e burgosun dhe e lidhunme vargoj hekuri. Në ball i ka vumë nji gjysmë napoloni dhe nji gisht të zi, të marrun nga fundi i fteres! Në krahënuer, përveç hajmaliave, i ka mvarë nji thelb hudhër me nji copë shtipz, të mbështjellun në nji pece të ndytë. Vargu i hajmaliave, bashkë më shukun e hudhrës, gjajnë si dekorata. Ai që e shef ka përshtypjen se ndodhet para nji . . . personi të madh të dekoruem dhe, pa tjetër, e ndin nevojën me e përshëndetë me nderimet përkatse!.... Të gjitha këto, simbas Kumes, vlejnë për me mos u sëmue dhe me mos marrë sysh çuni!... I thashë t'i a heki e t'i a mvari në djep, por ku i mbushesh mendja se?.... E pashë se i u prish qejfi. Prandaj nuk e zgjata shum. Kështu rriten dhe kështu mbyten fëmijt t'onë. Kumja ka edhe nji motër që banon diku, atje tej. Ajo me gjithë që asht martue gati pesë vjet ma parë, s'ka fëmij, pse s'ka pjellë kurrë. Kur të flasish me të mbi këtë, çashtje, të përgjigjet:
S'don Zoti.
- Kush e ka fajin? Ajo apo i shoqi?
- Zoti e din - do të përgjigjem un, pse mjeku s'i ka vizitue kurrë.
Kështu rrokulliset Shqiptari në këtë jetë.
27 Gusht
Ditët u banë të zeza dhe netët edhe ma të zeza. Mërzia më ka mposhtë dhe dëshpërimi më ka mbërthye me kthetrat e veta për mos më lirue, ndoshta, kurrë. Jam shum turbull. Shpirti më cingëron, zemra më rrënkon dhe syt më qajnë. S'jam e zoja as edhe me i përshkrue ndiesit e mija ndër këto fletë. Disa herë kulmi i mjerimit t'a mbyll gojën.
30 Gusht
Tash asht mbyllë ma deriçka që na shërbente për vojtardhje në shtëpi të Xha Simonit. Vetë im atë i a ka vumë shulin dhe ka porositë që të mos e hapi njeri. Me nji fjalë u mbul dera e atij pallati, ku u përbujt dhe u argëtue zemra e eme.
Nashti s'mundem me e pamë ma Xha Simonin e mirë, at plak që më ka dashtë si Irenën e vet. Tash s'mundem me u kënaqë ma me argëtimet e Mamë Gjystinës që m'ish bamë si nanë e dytë. As nuk mundem me kuvendue me Irenën që m'a pat dhanë gjysmën e zemrës dhe pat marrë pjesë plotsisht në gëzimet ase hidhnimet e mija. Gjithashtu s'mundem me i pamë vëllaznit e saj që edhe për mue qenë vëllazën, E Shpendin e mirë jo se jo.
Em atë i mbylli për mue dyert e kësajë familjeje, Por ai s'mendon se zemrat e tyne s'i kanë mbyllë dyert për Dijen që aq fort e kanë dashë. Oh sa mallëngjehem kur i ndigjoj nga oborri zanat e tyne. Oh sa dëshirojsha të më ngushullonte Mamë Gjystina tue m'i lëmue flokët e kokës. Oh sa do të kënaqesha sikur të mundesha me e përqafue Irenën dhe t'i thojsha në vesh se sa fort më ka marrë malli për... Shpendin. Ndoshta im atë pandeh se me këtë mënyrë i vu gardh dashunis s'eme me Shpendin. Oh sa shum gabohet. Demede s'e ka provue ndonjiherë dashunin që t'a njofi fuqin e sajë të papërballueshme. Ndoshta ai kujton se me masat e ndalimit do të mundet me e shue flakën e fortë të dashunis që valvitet në zemrat t'ona. Ndoshta ai mendon t'a ftorisi zemrën t'eme me jargët e ndonji bandillit që i pëlqen tue kujtue se zemra asht nji enë bakri e jo nji magje ndiesish e lakmish të pastra. Ai demede nuk e din se atje ku shkrep dashunia e vërtetë hapet nji vullkan i pashueshëm për jetë. Lavët e këtij vullkani janë lotet dhe krateri i tij syt. Ky vullkan edhe kur duket si i shuem, ndizet e digjet përmbrenda për të hgufmue ma vonë ma me forcë. Ai do të ndizet, do të digjet dhe do të grafëllojë, pse ashtu e ka krijue natyra, pseashtu shfren e kënaqet.
2 Shtatuer
Xha Meta e Xha Ceni, dy fqij t'onë, kishin ardhë ke na sot në mëngjes për vizitë. Mbas shumë bisedimesh që u zhvilluen mbi bujqësi u ndrrue kuvendi me lajmin e papritun që dha Xha Ceni: Nji katundar e paska vramë të bijën, pse ajo qenka dhunue me nji fshatar. Rreth kësajë ngjarjeje u shtjelluen mendime të ndryshme. Në fund të gjithë dhe nji zanit e përhiruen atin që e kishte vramë të bijën. Me fjalë tjera femna e dhunueme u gjykue si fajtore e pafalshme dhe u dënue me vdekje. Natyrisht kurrkush nuk mundet me folë, makar nji fjalë, për me i dalë zot nji femne që, tue mos i frenue sencet e veta, arrin të poshtnohet dhe dënimi i saj, me gjith që tepër i rreptë, asht i justifikueshëm. Vetëm due të dij se pse dënimi randon vetëm mbi femnën e gjorë? N'asht se ajo u dhunue ase bani kurvëni, mashkulli ç'bani? A nuk bani edhe ky bikni? Kush mundet me na sigurue se femna qe ajo që i nxiti pasionin mashkullit dhe e ndolli në të kryemit e asajë vepre qe e dënon shoqnia e sotshme me fjalët ilegale dhe e turpshme.
Sikur të kishte pasë njerzia nji histori turpesh, natyrisht të shkrueme prej duersh të pastra e të padridhuna nga ndikimi ase kërcnimi i tjerve, kishim për të vu re se, qysh nga Adam-Eva e deri më sot, femna asht ngucë e kabue prej mashkullit për t'u bamë vegël dëfrimi për të. Me gjithë këtë, kur asht diktue, asht denue dhe mashkulli s'asht trazue. Përse ajo ndeshkohet dhe ai nuk trazohet? A nuk kanë bamë mëkat ase faj të dy së bashku? Apo mëkati i mashkullit asht i falshëm? Mos asht edhe zoti me burrat apo vetëm i burravet që mban anë kah ata? çudi! Katundari i jonë e gjet vetëhen të fyem e të turpnuem, pse i qenka dhunue e bija. Ka të drejtë. Por katundari tjetër ndoshta as nuk u skuq në fëtyrë kur e muer vesht veprën që kreu i biri. N'asht se i pari e vrau të bijën për me e lamë turpen me gjakun e saj, a nuk duhej që edhe i dyti t'a vritte të birin për t'a shly atë njollë që djali i tij vulosi me gjakun e nji të ngratës? N'u quejt ajo lavirë ase fërshëndi, a nuk lupsesh quejtë edhe ky njimitar ase bik? Përse randon vetëm nga femna balanca denuese e drejtësis mashkullore?
Apo nuk asht i njinjishëm faji për të dy? Nuk dij, por më duket se të pakën në këtë punë mashkulli nuk lypsej të kishte nji privilegj.
Vepra e ndalueme dhe e turpshme, padyshim, u krye prej të dyve dhe dënimi, po n'atë mënyrë, lypsej t'i përballonte që të dy, se po të mos kishte marrë mashkulli pjesë aktive në veprën e kryeme, nuk kishte se si bahet turpi. Po, se që të bahej turpi lypsesh të bashkohesh mashkulli me femnën. Për ndryshe nuk do t'ekzistonte turpi në këtë mes dhe sot nuk do të derdhte lot nana e shkretë mbi kufomën e bijës së shueme nga dora e atit të vet. Katundaret t'ona vuejnë nga mizoria e burrave dhe e prindëvet të tyne të padijshëm, rrënkojnë nën ndrydhjen që u bajnë zakonet e egra dhe gabimet e tyre shpërblehen randë. Kanunet e maleve nuk i mëshirojnë aspak të ngratat dhe nuk u napin asnji vlerë, E për këto të shkreta kurrgja e mirë s'asht bamë deri më sot.
Sikur të kishte qenë në dorë të femnave sundimi i botës, a do t'a gjejshin të drejtë mashkujt nji dënim të tillë e të njianshëm kur t'u nepesh atyne nga femnat në nji rasë kësodore? Sigurisht jo dhe nuk kishin me lanë mjet pa përdorë për t'a fitue, të pakën, barasin. Po na? Oh na të shkretat nuk lejohemi t'a nxjerrim zanin për të drejta ma natyrale e fillestare e jo ma për këto që kanë nji karakter të shëmtueshëm. ââ¬ÅŸKur lën femna qajnë trenët", thotë nji fjalë popullore. Në këto pesë fjalë shprehet krejt përbuzja e skotës mashkullore kundrejt femnës së shkretë. Ky mendim i padrejtë dhe shnjerzuer na ka hymë në shpirt edhe neve femnave dhe e thomi me aq besim si t'ishte ndonji verset i Kuranit ase i Ungjillit. Kjo përbuzje kaq trashanike, që i bahet femnës prej mashkullit, synon me e qëllue këtë mu në shpirt e në palcë: në sedër. Për atë q'asht burimi i jetës dhe shtylla e ekzistencës njerëzore bahet kjo përbuzje kaq e poshtme dhe e vorfën nga vlera mentare e morale. Mashkulli, biri i femrës, i a përplas në fëtyrë asajë këtë të fyeme kaq të randë për me i a therë zemrën mizorisht. Eh fatkeqësi. Mashkulli që mburret me aventurat e veta tue thanë se ka mashtrue e ka kabue këtë ase atë femën,
ka guximin e paturpshëm edhe me e përbuzë edhe me e dënue atë për gabimin që ban, gabim në të cilin ai vetë e shtyn.
Lypset të ngremë krye, duhet të çohemi peshë e t'i luftojmë këto ligjë e zakone që na i grabisin të drejtat t'ona ma se natyrale, që na poshtnojnë dhe na ulin në shkallën e nji robneshës së neveritun, që na i shkullojnë dhe na i shterrin burimet e sedrës e të krenaris si femna e si njerës, që na e shtypin pamëshirshëm ndërgjegjen dhe shtefnin. Duhet t'u apim të kuptojnë se përparimi i nji kombi matet me zhvillimin e femnës dhe se kjo lypset të zajë nji vend të kosinderueshëm në shoqnin njerëzore.
A s'ka zemra që të ndijnë dhimë për pësimin t'onë? A nuk ka veshë që t'a ndigjojnë klithmën t'onë? Ah sikur t'isha djalë. Po, sikur të mundesha me metamorfozue e me u bamë djalë, do të mundesha me ndërmarrë nji lëvizje të gjanë për me i luftue rreptësisht pengesat e fatbardhësis së femnës Shqiptare dhe për me i sigurae asaj liri të plotë e njisi të drejtash. Kjo përpjekje e ashpër besoj se kishte me më kënaqë; kjo luftë e rreptë sigurisht kishte me m'a lehtësue ndërgjegjen e dërmueme prej fyemjesh e padrejtësinash të përditëshme që i bahen femnës së shkretë. Dhe zemra e eme atëherë do të mbushej plot hafsh e zjarr për t'i përvëlue kundërshtarët e këtij ideali të shenjtë. Po, zbrazësia e asajë zemre që lëngon nga mungesa e lumnis së dëshirueme, do të mbushej atëherë plot lang zjarri për me u shprazë mandej mbi ata që e kanë monopolizue shijimin e jetës dhe gëzimin e të drejtave në këtë botë
.Nuk jam e zoja me i shpirtnue mendimet e ndiesit e mija, pse s'kam pasë fat me u zhvillue në nji shkollë të naltë ase në nji rreth, ku mbretnon drita e pashueshme e kulturës. Por e ndi se kam nji shpirt që me të tanë forcën e vet, më shtyn me e luftue të ligën dhe padrejtësin; kam nji vullnet që më nguc për me i ramë krës mendësis së mykun, asnjë mendësije që na ka lanë trashëgim errësina qindashekullore e injorancës, ajo që edhe sot na pengon në të kryemit e veprave të shkëlqyeshme fisnikije dhe nuk na lejon të kalojmë nji jetë t'ambël dhe të bukur.Femna Shqiptare sot s'ka ndryshim të madh nga ato që jetuen disa qinda vjet ma parë dhe, në disa rai a, asht baras me skllavet e motshme, mbassi nuk i gëzon të drejtat e veta. Sikur të dijshin e të mundeshin me shkrue skllavet e motshme, kush e din se çfarë kryeveprash kishin me na lanë, pse në to do t i përshkruejshin vuejtjet e veta dhe ndlesit shpaguese që ushqejshin kundrejt zotve të tyne. Kush e dtn se sa helm e vëner kanë pasë grumbullue zemrat e tyne të plasuna. Kush e din. Sigurisht ato do të kenë vdekë ma tepër prej pezmit e dëshprimit që i ka bamë me plasë, se sa prej sëmundjesh. Por edhe sot, thuej se, kështu asht femna, sidomos fëmna Shqiptare. Sikur të guxonte kush me e zbulue dufin dhe urrejtjen që ka zemra e sajë do të lemerisesh e tanë bota dhë atëherë do të kuptonte skota mashkullore se deri ku ka arri padrejtësia që i bahet asaj.
Po të kisha qenë djalë, do t'u mshojsha me grusht turijve gjithë atyne që kërkojnë të kenë privilegje dhe që duen t'a përdorin femnën herë si kafshë dhe herë si.....mjet dëfrimi. Por nuk jam. Dhe Perëndia, sikundër duket, nuk e ka menden me bamë mbrekulli.5 Shtatuer
Sot në mëngjez tue u endë nëpër lulishte ndigjova nji trokullimë të lehtë. E ktheva kryet dhe pashë kah deriçka q'asht ndërmjet nesh e shtëpis së Xha Simonit. Nji pës më ra në vesh dhe mbas pak ndigjova të thërritet emni i em. E njofta zanin. Ishte i Irenës. U avita në mënyrë që të mos hetohesha prej të shtëpis s'eme.
- Merre këtë letër - më tha dhe futi nën prakun e deriçkës nji letër të mbështjellun në nji pece.Irena e kishte gërrye truellin nën prak që të siguronte nji mjet komunikimi me mue. E mora letrën dhe u largova dalë-nga-dale, si me mos pasë gja. Shkova e u mbylla në kthinë t'eme. E hapa letrën me duer të dridhuna dhe me të rahuna të zemrës. Ishte prej Shpendit. Qeh se ç'më shkruente:
E dashuna Dije,
Fati i lig që na lufton besomë se do të përkulet e do të ndrydhet para vullnetit që buron nga zemrat t'ona të mbushuna me flakë dashunije. Po t'a kisha paramendue se do të dëshironte nisjativa e jonë dhe do merreshin kaq masa t'ashpra kundrejt nesh, po t'a kisha dijtë se do këputet për gjysmë ajo lumni që patëm nisë me shijue, shum ma mirë do t'ishte që të mos e trazojshim t'yt atë me propozimin e martesës. Por ku t'a dijshim se.... Nji miljon herë ma mirë do t'ishte përjetësimi i asajë jete, ashtu sikundër ishte, se sa kjo gjendje që nuk na lejon as të shifeni me shoqi shoqin. Atëhere, kur na besuem se do t'a kunorëzojmë lumnin, u mjeruem. Me gjith.këtë nuk duhet me u dëshprue, se ma në fund do të ngadhnojmë. Un po marr masa tjera për me i a mbrrimë qellimit.
Herë herë mërzitem pa masë dhe më duket sikur do të rroposet krejt bota e andrrave t'ona lumnuese, ajo botë e bukur që krijuen zemrat t'ona. Por fotgrafia e jote që më ka pasë dhanë Irena me lejen t'ande - e mban mend? - më sharton shpresa në shpirt, më mbars me vullnet dhe më përtrin në fuqi. Kjartësia e syve të tu të kaltërt e të qëndisun, që duket edhe në fotografi, ka forcën magjike me mbytë e me zhdukë çdo hidhnim tue e këmbye at në gëzim.
Sot jam mjaft i mërzitun, pse mbramë â⬓ vetëm mbramë - nuk të pashë n'andërr. Un edhe në gjumë jetoj me ty. Nuk dij se në ç'gjendje je ti o lofka e zemrës s'eme! Të lutem mos u mërzit dhe kij shpresë. Edhe ime amë asht mërzitë shum nga refuzimi i bamë prej t'yt ët për martesën t'onë. Fëllimi i ambël i këtij mëngjezi, sigurisht, do të dojë me t'i sjellë puthjet e nxehta të kësajë zemre që asht plot mall e dashuni për ty o engjëlli i em.I joti për jetë:
Shpend Rrëfeja
Disa herë e këndova dhe disa herë e putha këtë letër: Mbasandaj e futa në gji me nji besim fetar që t'a qetson shpirtin e tronditun, ashtu si t'ishte nji hajmali e shkruenie prej dorës së nji shenjtit ase të profetit.
7 Shtatuer
Gjumi m'asht prishë. Gati gjith natën rrij me sy hapët. Edhe shija e bukës m'asht prishë dhe gjellët më duken të zbarta. Sot pata ethe dhe volla pak gjak. Kanë nisë me m'u qarkue syt prej nji rrethit të zi dhe fëtyra m'asht zbemë. Prandaj i thashë t'im ët që të më sillte nji mjek për me më vizitue, por ai bani sikur nuk më digjoi.
10 Shtatuer
U martue Irena. Sot erdh Zefi vetë, bashkë me krushqit, dhe e muer. E çuen Irenën në shtëpin e atij qe dashunon. Un nuk e pashë. Kërkova të shkoj me e takue dhe me e përshëndetë për herën e fundme, pse atë e due si nji motër.
Dalë-nga-dale po këputen vargjet e lidhjes që kam me Shpendin. Mbas sodi nuk ka kush t'interesohet për me na mbajtë në marrëdhanëje me njeni tjetrin. Tash e ndi vetëhen, me të vërtetë, të shkretë, si nji bonjake të mjerë që nuk i qesh njeri. Oh fat'i zi.
14 Shtatuer
Tash nuk druej se më hidhnohet baba po të shkoj në shtëpi të Hamitit, mbassi ata janë paqtue. Prandaj, sa herë që të due, mund të shkoj pa u drashtë. Sot shkova kinse për të bamë nji vizitë, me gjith që vojta për t'u pamë me Hamitin, me shpresë së mos m'epte ndonji lajm të mirë mbi fatin t'onë. Mamë Sybja, e ama e Hamitit, ashtu edhe gocat e djelmt më pritën me gëzim. Fëmijt e vegjël të Hamitit, si përherë, më duen fort. S'dij se pse simpatizohem kaq shum prej të vegjëlve. Mamë Sybja u çudit e u pezmatue kur më pa te dobsueme dhe të zbeme në fëtyrë. Nuk u mbajt pa me më pyetë se pse isha ligështue. Hamiti s'ishte aty dhe, me gjith që prita shum, nuk erdh. U ktheva në shtëpi e dërmueme moralisht.
16 Shtatuer
U shemb e u gremis pallati i lumnis s'eme që kisha ndertue në zemër me duert e Shpendit. Tash u shdukën të gjitha shpresat dhe u përmbysën të gjithë kështjejt e andrrave t'ona. Andrrat e lumnis, si të ishin re të lehta, u avulluen dhe u zhdavaritën prej nji murranit të egër. Po, të gjitha mbaruen, vdiqën. Po. Sot më vloi em atë me nji farë Qazim Krandja, tregtar në shkallë të parë. Im atë kishte shkue sot në zyrën e Sheriatit dhe, si përfaqsuesi i em fuqiplotë, kishte dhanë pëlqimin për kunorëzimin t'em me at farë tregtari. Dhe kadiu, pa pamë nevojë që të më pyeste mue se a e pëlqej kët kunorëzim, i ban formalitetet tue e bekue bashkimin t'onë.
Hallë Hatixheja dhe disa plaka tjera të fisit kishin ardhë ke na sot qysh në mëngjes heret. Mue nuk më thanë gja. Edhe mue, natyrisht, s'më shkoj mendja kund. Kur u kthye em atë në shtëpi, aty pak para mesdite, i duelën para plakat dhe e përgëzuen. Fëtyrat e tyne të qeshuna dhe përhirimet e urimet që i bajshin t'im et tue i thanë ââ¬ÅŸndjefsh edhe në tjerët", më futën në dyshim, por nuk mund të pyetsha. Prandaj u tërhoqa me nji anë dhe nuk bëzana. Mbas pak plakat, bashkë me Hallë Hatixhen, erdhën pranë meje dhe,
mbassi më përqafuen, m'uruen dashuni e lumni me burrin, të cilin nisën me m'a lavdërue tue thanë se asht tregtar i madh, shum i pasun, i rodit të mirë dhe nji varg të gjatë....
Un, në fillim, shtanga dhe u mpina fare. E humba fuqin e gjykimit dhe nuk qeshë e zoja me e çmue shkallën e fatkeqësis që më kishte kapërthye. Syt m'u turbulluen dhe m'u mveshën prej nji rës së zezë. Plakat I shifsha të zhytuna në nji dendësi tymi, si t'ishin sokullue prej turma mjegullash ase si t'ishin sorra të strukuna pranë meje. Tamthat më rrifshin me forcë dhe veshët më gugullojshin. E vuna dorën mbi zemër për me e ndalue hovin e rrafjeve të forta e të paregullta. Nji copë herë mbeta e hutueme dhe e harlisun. Mbasandaj shpërtheva në vaj dhe qava me të madhe tue bërtitë se nuk e dojsha at njeri për burrë. Mbas asajë shtërgate lotsh e britmash u plandosa në nji kand si gjysmë e vdekun. Vajin t'em ato e kujtuen të natyrshëm dhe si të gjithë atyne që qajnë në rasa të tilla nga njomësia e ndiesive e nga foshnjëria e gjykimit, por jo si shenjë hidhnimi e dëshpërimi. Sa për gjysmë zalisjen që pata besuen se ajo m'u shkaktue nga dobsia e shëndetit që u trondit nga k y . . . gëzim i papritun, me gjith që un protestojsha kundër asajë padrejtësije që m'ishte bamun. Edhe tash që po i shkruej këta rreshta jam tue derdhë lot. Syt e mij më duket se mbas sodit nuk do të shterrin ma veçse kur të mbyllen për t'u hapë në jetën tjetër. Em atë duket i kënaqun që arrini me e fejue të bijën. Për at, natyrisht, nuk ka randësi as edhe vlerë zemra. Ai i fut asajë nji thikë dhe s'e çan kryet fare. Zemra, simbas mendjes së tij, pa dyshim asht si nji lodër fëmijsh që mund të përdoret për çdo loje simbas dëshirit të zotnuesit dhe dashunia nji kanisqë që mund të përftohet ase mund të fitohet lehtazi. Për të ka randësi personi i dhandrit si tregtar ase si arkëtar i nji shume të hollash. Vlera morale mandej, në syt e tij, ka tjetër dukje, tjetër trajtë dhe tjetër ngjyrë. Nji i pasun, simbas tij, asht i ndershëm, i mendshëm, i dashun, i pëlqyeshëm dhe i nderueshëm. Sa për dashunin që asht themeli i lumnis, ai s'don me dijtë gja dhe nuk e ven at ujë në zjarm.Prindë, si em atë, ka shumë Shqipnia. Këta njerës, me mendësin e tyne prapanike, vetë e ndjellin rrezikun
dhe mjerimin e fëmijve të vet. Këta janë skllavët e primitivitetit e të zakoneve t'egra që janë në kundërshtim të rreptë me konditat e me rrymën përparuese të kohës së sotshme. Këta kanë qëndrue në vend dhe as që duen me shkue përpara për t'i pamë ndryshimet që impozon shekulli i sotshëm. Me fjalë të tjera këta i përkasin shekullit të kaluem dhe nuk mund të pajtohen me frymën e re të kohes s'onë plot hafsh gjallnije. Em atë e dha pëlqimin që të martohem me at njeriun e panjoftun prej meje dhe kadiu e bekoi n'emën të Sheriatit. Këtë poshtërsi shembëllore e bani baba kundër fëmis së vet dhe kadiu e aprovoi n'emën t'asajë ligje hyjnore që quhet Muslimanizmë. Me këtë mënyrë kadiu veproi kundër dispozitave të Sherijatit dhe e njollosi fën që përfaqëson, pse ajo, sikundër thotë Dajë Haxhiu, nuk lejon martesë pa u marrë, tri herë me radhë, hiri i të dy palëve që do të kunorëzohen. Me gjith këtë ky turp u krye dhe im atë asht i kënaqun për fitimin që pat. Por ai nuk mendon se e ka vramë të bijën me dorë të vet dhe se e ka futë në vorr për së gjalli. Ai nuk e gjykon se përfundimi i këtij mashtrimi apo i kësaj trathtije ka me qenë i kobshëm për të bijën dhe nuk i shkon ndërmend se dikur do të pendohet plotsisht për këtë padrejtsi që i bani pjellës së vet. Dikur dhe ndoshta shum shpejt ka për t'a kuptue gabimin. Atëhere do t'i bijë kokës me grushta, por kot se do të jetë shum vonë. Atij nuk i a merr mendja se nji copë femën, si un, mund të ketë guximin me e rrokë për qafe ma lehtas vdekjen shtrigë se sa at burrë që i nepet përdhunisht si shok jete. Do të vijë dita e kësajë prove të hidhët dhe ai ka për të pamë se si mbaron dashunia e asajë fatzeze që shtrëngohet t'a ndrydhi zemrën për hur të t'atit.
Na, femnat Shqiptare, jemi krijesa të vorfëna që tue këngëtue, si të trenueme, shkojmë symbyllazi drejt greminës, drejt vorrit që na përgatisin tjerët dhe na shtyjnë me u përplas mbrenda. Po. Na duhet të jemi të qeshuna e gastore për t'i kënaqë kapricjet e burrave, lypset të jemi pa zemër e pa shpirt për t'i ngopë dëshirat e atyne që na kanë monopolizue. Por edhe në paçim zemër e shpirt, këta lypset të funksionojnë simbas andjes s'atyne që na kanë robnue e jo për ata që na mund të dashunojmë. Oh fatkeqsi. Sa e sa breza femnash, që erdhën para nesh, u banë viktimet e këtij zakoni t'egër dhe flija e asajë mendësije që kish për të vetmin qellim të kënaqi kapriejet e nji turme injorante, sunduese mbi fatin dhe jetën e atyne femnave të mjera. Kurrkush, deri më sot, s'pat guximin me marrë për sipër nji përgjegjësi për me i operue e shërue plagët e kësaj shoqnije që lëngon prej shekujsh. Toka e jonë, për fat të keq nuk polli nji gjeni që t'u epte hof gjallnije turmave të mbetuna nën thundrën e zakoneve primitive për t'u hudhun tej me forcë; që t'i udhëhiqte për t'u vërvitë jasht kaosit t'errët të fanatizmës; që t'i naltësonte moralisht e intelektualisht tue i shpëtue nga robnia shpirtnore e disa qinda shekujve. Nuk duel nji Titan që t'a ngrente grushtin e tij të fortë kundër atyne që e pengojnë zhvillimin t'onë natyrel e historik, kundër atyne që nuk na lanë t'ecim drejt rrugës së madhështis, të liris e të lumnis. Ah sikur t'isha djalë e t'a merrsha për sipër kët mision kaq delikat dhe t'i sherbejsha shoqnis njerzore. Na do t'i a puthim dorën me respektin ma të madh dhe do t'a deklarojmë shenjt at njeri që të na shpëtojë nga kjo robni shekullore tue e grisë edhe peçen që t'i nepen femnës Shqiptare e Muslimane mundësit për me i pamë rrezet e arta të... qytetnimit.Un, sa për vetëhe, kam vendosë me e vulosë jetën t'eme me gjakun t'em. Me këtë mënyrë besoj se do t'u provoj kundërshtarëve të liris s'onë se na kemi vendosë me vdekë, por me mos u përulë.
17 Shtatuer
Em atë pret e përcjell njerës që vijnë me e përgëzue e urue. Eme njerkë fluturon prej gëzimit, natyrisht, jo pse u vlova, por pse u forcova me nji njeri që s'e dashunoj dhe pse do të më shporri sysh. Mora vesh se kushrini i em Hamiti ishte zanë keq me t'em atë për shkak të fejesës s'eme. Për pak kishin qenë tue u rrafë. I shkreti Hamit! U përpoq shum që të më bante të lumtun, por nuk mundi me e mposhtë t'em atë që mundohesh me më mjerue.Eh fat'i zi, fat kobar!
Ata që nuk e pëlqejnë të bukurën janë të vdekun. çdo njeri që ka nji farë ndiesije pjerr kah e bukura. Edhe njeriu primitif e pëlqeu dhe e dashunoi të bukurën. Ata që nuk kanë dashunue ase nuk dashunojnë janë kafshë pa shqise, pa zemër, pa ndiesi dhe pa as ma të voglën rreze hyjnore. Këta kanë vorfëni apo vobësi shpirtnore. Janë kërma të lëvizshme që enden në mes t'onë si fantoma ase lugetën që kërkojnë t'a ulin vlerën e jetës, që përpiqen t'a hjekin shijen e rrojtjes. Edhe ata që e pengojnë zhvillimin e dashunis, t'asajë dashunije që shtjellohet mbrenda caqeve të nji moralit relatif e logjik, janë shokët e këtyne të verbëve që s'e njofin dritën, që s'kanë fuqi e pajë natyrale për me u ngjitë në sferat e nalta e të ndritshëshme të bukuris mendore e shpirtnore. Këta mëkatarë meritojnë të mëshirohen, se nuk e kuptojnë se shpirti e mendja ushqehen me të bukurën e jo me të shëmtueshmen, pse kjo i vret e i mbyt. Edhe em atë, për fat të keq, ban pjesë në këtë turmë të vorfnish e të verbësh që formojnë ballin pengues në zhvillimin dhe përparimin e shoqnis s'onë. Këta janë si ferrat ndër lule, si njollat ndër pëlhura të bardha dhe si plagët në zemër. S'dij se a e ka marrë vesh Shpendi kobin që pësuem. N'e ka marrë vesht kush e din se sa fort do të jetë pikëllue dhe sa lot do të ketë derdhë. Sigurisht do të më paksohesh hidhnimi dhe do të më lehtësohesh shpirti i brengosun, po të mundesha me e pamë nga ndonjiherë. Por s'ka mundësi dhe un do të vdes, ndoshta, pa e pamë edhe njd herë.
20 Shtatuer
Ai, me të cilin më kanë kunorëzue, qenka i vejë. Grueja e parë, me të cilin paska jetue shtat vjet, i paska vdekë gjashtë javë ma parë pa i lanë asnji fëmi. Qenka nji burrë nja dyzet vjetsh. Pse sikur t'ishte i ri a do t'a pëlqejsha? Jo, kurrë! Përveç Shpendit, edhe nji engjëll po të kishte marrë trupin e nji mashkullit, nuk do t'a pranojsha e nuk do t'a dashunojsha. Por ai tregtari le t'a shënojë, qysh tash, në pllakën e trunit të vet se edhe grueja e dytë ka me i vdekë sa të shkeli në prak të derës së tij. Kurrgja s'kam marrë vesht prej Shpendit. Due t'i shkruej, por me cilin me i a dërgue se?.... Më mungon çdo mjet. Shkurt jam e shkretë dhe e mjerë në çdo pikpamje. Ah un korba!