E gjeta kete artikull rastesisht ne internet dhe me pelqeu jashte mase ...~ sa e trishte
Ne ndjekje te Leas
Ai dremiste me kokën rrëshqitur pa kujdes mbi tastierën e kompiuterit.
Natën e kishte kaluar në një nga pub –et e shumta të kryeqytetit.
Kur agu kishte filluar të shpërndante ngutur, stërkalat e bardha të dritës, atij i ishte dukur i pakuptimtë mendimi për të shkuar në shtëpi. Për tre orë duhej të ishte « në transmetim » për emisionin e mëngjesit. Ndërtesa e pub - it ishte ngjitur me atë të radios, kështu që i kishte thënë shoqërueses së tij, të hipte në makinën e miqve të tij, (ata do ta shoqëronin për në shtëpi ). Miqtë ishin ngucur zhurmshëm atje brenda, ndersa ai vetë kishte hedhur hapat përtuar drejt ndërtesës së radios, e cila ishte e mbuluar e gjitha nga lule –dredhëzat.
Kishte qëndruar disa minuata para portës së xhamtë, duke parë mimikën ëndërimtare të rojes që nanuritej afër një rezistence të përcëlluar, por edhe pse i kishte ardhur keq, e kishte zgjuar mbas disa trokitjesh të forta. Roja i kishte hapur derën, flokë shpupuritur, duke i thënë nëpër dhëmbë; « Përsëri në pub ti ? ». Ai ishte drejtuar i heshtur për te « strofka » ( kështu e quante zyrën e tij ), por më parë kishte zgjatur dorën e u kishte rënë me pëllëmbë flokëve të ngritur përpjetë të rojes.
Kokën e kishte të rëndë, stomakun gjithashtu. I pihej shumë një kafe (e fortë ), por nuk kishte ku ta gjente. Asnje nga baret përreth rrugicës nuk ishte hapur.Edhe atë mëngjes, si gjithë javën, atij do t’i duhej të. vendoste që në fillim të emisionit quiz-in e famshëm, që për një javë rresht nuk kishte mundur ta gjente asnjë nga telefonuesit, ( ose me saktë telefoneset, ato ishin pothuajse të gjitha, adhuruese të tij ).
Ai fërkoi sytë me duar dhe fshiu shkronjat e parregullta që kishte lënë në ekranin e kompiuterit balli i tij i rrotulluar mbi tastierë, ndërsa kishte qenë duke dremitur.
Kolegët e tij mbrriten një nga një, të zhurmshëm si gjithmonë. U thërriti disa herë të ulnin zërin, por ata e bërtitën më shumë.
Tingujt e siglës së emisionit të mëngjesit nisën të shpërndaheshin lehtë në sfond, ndersa ai kroi zërin me të shpejtë.
- Mirmëngjes të dashur dëgjues ! Iu uroj një ditë – javë të mbarë., edhe pse ka nisur e vranët. Si fillim po ju përshëndes me një këngë, e cila kohët e fundit, nuk di pse më shoqëron ngado. Stafi i radios sonë e ka pagëzuar me titullin : « kënga e Leas », dëgjueses sonë të rregullt, e cila këto kohë nuk di pse ka humbur njëlloj si dielli në këtë ditë të vranët. Pra… për ty Lea… I mungon stafit tonë, ditës së vranët …e mbi të gjitha, i mungon quiz - it tonë të bezdisshëm, prej të cilit nuk do mund të shpëtojmë dot… nëse ti nuk telefonon…
Zërin e tij e sfumuan tingujt e këngës në sfond, ndërsa ai shtriqi krahët.
Lea kishte më shumë se një javë që nuk kishte telefonuar. Ajo ishte një nga dëgjueset e regullta të emisionit të tij, por nuk bënte pjesë tek adhurueset. Ajo kishte një zë të drojtur fliste pak, shkruante poezi dhe mbi të gjitha ishte fituesja e pothuajse të gjithaquiz- eve.
Mungesa e zërit të saj mëngjeseve, kishte filluar t’ia ç’ngjyroste ditët, e t’i lodhte netët frenetike pub –eve, në shoqërinë e kukullave thonj – gjata, të veshura të gjitha, me panatallona të ngushta, e me hair – extansion në flokë.
I ishte bërë mani t’ua recitonte quiz.-in të gjitha kukullave të tij. Kukullat për çdo natë ishin të ndryshme, por ato kishin të njëjtë, shprehjen e fytyrës, ndërsa ai u recitontequiz –in. Ndjente një kënaqësi të paprovuar kur ato dorëzoheshin e nuk e gjenin. Ndjente kënaqësi që ato nuk ishin Lea.
Edhe pse nuk dinte asgjë për Lean, përveçse njihte mirë timbrin e zërit të saj, kohët e fundit ai kishte nisur ta kërkonte në çdo shkundje flokesh, në çdo përndritje sysh, në çdo ije gruaje.
Ai kishte një fiksim të pazakontë me ijet e femrave. Për të, ijet perfaqësonin kulmin e feminitetit te një grua.
E dinte që Lea mund të ishte një vajzë me bukuri të zakonshme, apo ndoshta mund të mos ishte fare e bukur, por kishte një parandjenjë se ajo duhej të kishte ije perfekte.
Në dallim nga telefonueset e tjera, të cilat i përgjëroheshin atij ta takonin qoftë edhe njëherë të vetme, Lea e mbyllte telefonin menjëhere, kur ai pasi mbyste kujdesshëm sfondin me muzikë të lartë, e pyeste për emrin e vërtetë. Asnjë përgjigje.
Dukej se Lea terrorizohej nga mendimi se ai mund të zbulonte identitetin e saj.
Ajo, padyshim mund të kishte nje histori me dikë, ose mund të ishte e martuar, ose, ose, mund të mos ndihej aq e bukur, sa ato vajzat e kopertinave me të. cilat ai fotografohej shpesh, por kjo e bënte më interesant dhe elektrizues misterin.
Sa më i fortë ishte refuzimi i saj, aq më shumë i shtohej dëshira atij për të këmbëngulur e zbuluar identitetin e saj, tmerrësisht intrigues.
Ajo javë ishte harxhuar e gjitha në kërkim të Leas.
- Sikur të jetë kjo ? - thoshte shpesh me vete, duke e kthyer kokën rrufeshëm sapo ndjente t’i digjte mbi zverk ndonjë vështrim elektrizuez. Hutohej menjëherë e supet i përplaseshin shkujdesshëm, me supet e turmës së njerëzve që nxitonin përkrah.
Pastaj ngrinte dhe rrëzonte heshturazi me mendjen e tij njëmijë hipoteza nga më të çuditshmet.
- Sikur gjithë këtë kohë të çmuar, e gjithë këto energji, t’i harxhoje në të mirë të emisionit, të cilit ia ke varur fare… – i kishte thënë një ditë i lodhur shefi i tij, një burrë babaxhan e zemërgjerë…
Tashmë i gjithë stafi e njihte « çështjen Lea ».Djalin e sekretarisë e kishte porositur të qëndronte gjithmonë veshë - mprehur, recepisonisten e kishte porositur ta lajmëronte menjëherë, nëse në derën e radios, shfaqej druajtur për të tërhequr çmimin, ndonjë vajzë e re. « Çështjen Lea » e njihte mirë edhe pastruesja…
- Pa eja këtu… - i kishte thënë një ditë i ngrysur i ati i cili, - kush qenka kjo Lea që re përtokë fare ti… ?
- Sikur ta dija…- i ishte pergjigjur ai.
I ati ishte larguar duke mbledhur buzët, njëlloj si të thoshte me vete ;
- Nuk e kemi patur për fis të bëjmë kështu për një femër…
…
Ai kishte përfituar nga minutat e lajmeve, për të dalë një grimë jashtë zyrës, për të freskuar fytyrën në ajrin e pastër, e për të ndezur një cigare. Ndërsa thithte i qetë cigaren, ai vuri re një vajzë flokë –kuqe, e cila ndaloi të ecurën e i nguli veshtrimin pa druajtje.
Atij iu drodhën duart.
Me vajzat kishte qenë gjithmonë i shkathët, por ajo rendje mbas Leas… e kishte bërë të gjithin vulnerabel.
« Nuk ka si të jetë Lea … po çmendesh… » - i tha vetes.Hodhi cigaren ne kosh dhe u fut brenda. Një çast, dalloi pas xhamit fytyrën pikaloshe të djalit të sekretarisë, i cili ia bëri me shenjë të hynte…
- Më duket se e lokalizova adresën e Leas… i tha ai me një frymë.
- Si… çfarë… vërtet ?
- Ai shoku im, dje bëri një punë të paqme, e mban mend atë ditë që i dhamë të dhënat e të gjitha telefonatave të bëra një javë më parë… së bashku me orën në të cilën ka telefonuar Lea… më në fund ia doli… merre këtë… !
Djali i tregoi një pusullë ku ishte shënuar një adresë.
- Vërtet…çfar është kjo ?
- Adresa e shtëpisë së saj…
Nuk iu besoi syve. E rroku për qafe pikaloshin dhe mori rrugën për të « strofka » e tij duke fërshëllyer.
Ai mezi mundi të presë derisa mbaroi emisioni i mëngjesit. Si për inat telefonueset atë ditë kishin dëshirë të flisnin gjerë e gjatë. Në përgjigjet e tij një rrokëshe ndihej hapur bezdia dhe padurimi për ta mbyllur emisionin, madje një grua e moshuar kishte telefonuar vetëm për ta pyetur se përse ishte aq i tensionuar.
Ai nuk përqëndrohej dot më në asgjë
Kishte një ndjenjë ankthi përzier me një gëzim të fshehtë në shpirt.Më në fund do të shihte Lean.
Zëri, frymëmarrja , shkundja e flokëve, përndritja e syve e sidomos ijet e saj do të formëzoheshin në një trup të zakonshëm femëror. Ai nuk kishte frikë nëse ai trup do të ishte më i zakonshëm seç e kishte përfytyruar…
I hipi makinës me ngut dhe mori drejtimin për në të dalë të qytetit…
Shtëpia e Leas ishte ndërtuar në anë të rrugës. Ajo ishte një vile dy – katëshe me një oborr plot lule e pemë… e tek tuk edhe ndonjë stol të drunjtë…
Ai e ndaloi makinen dhe priti…
Mund të rrinte aty sa të donte , xhamat e errët të makinës ndihmonin që fytyra e tij të mos shquhej nga jashtë.
Ai priti pak, pastaj pa një burrë të dilte prej vilës dy – katëshe. Më vonë pa të dilte prej andej një qen të madh.
Burri përkëdheli qenin dhe hipi në makinë. Kur makina e tij u largua qeni u fut përsëri brenda…
Ai priti dhe një orë tjetër.
Mendimi se Lea mund të mos ishte në shtepi, po ia humbte durimin. Tek bëhej gati të rrotullonte çelësin e të ndizte makinën, ai pa qenin të dilte përsëri nga dera. Kaluan vetëm pak çaste dhe ai dëgjoi një zë të njohur vajzëror që i thërriti qenit.
Atij filloi t’i rrahë zemra me forcë.Te dera e vilës shqoi një vajzë të re, rreth të njezetave. Ai mundi t’i shohë vetëm pak profilin sepse ia vështirësonte shikimin një trendafil i madh në anë të verandës ku edhe ajo rrinte ulur. Ajo përkëdhelte qenin, pastaj hidhte një top të kuq mes barit. Qeni vraponte pas topit, e merrte me gojë dhe ia sillte vajzës. Në shkëmbim të kësaj, vajza nxirrte diçka nga qesja dhe ia jepte qenit ta hante. Qeni i rrotullonte putrat përreth qafës dhe vazhdonte gëzueshëm lojën.
Ajo që pa në minutat në vijim, e bëri të rrotullojë çelësin i tronditur e t’i japë gaz makinës.
U largua.
Largimi i tij ishte një lloj deja vu - je e të gjitha braktisjeve që ai u kishte bërë femrave të tij… kukullave të tij, që nuk ngjanin aspak me Lean dhe që… ai ishte aq i lumtur për atë fakt…
- Ç’është kështu me ju meshkujt ?- i kishte thënë një ditë, dhimbshëm, një mikja e tij e ngushtë, me të cilën kohë më parë kishte patur një gjysëm - histori. (ai ishte i sigurt që ajo vazhdonte ta donte fshehur, por nuk e jepte veten). - Duket se sapo zoti iu sjell në jetë, iu mëson së bashku me alfabetin, të përvetësoni saktë se si të braktisni një femër. Dhe sa mirë që e përvetësoni të gjithë, aktrimin e kësaj skene. Të gjithë aktroni shkëlqyer… gati në mënyre oragnike…Mikja e tij kishte te drejte
Ai e kishte braktisur Lean, me të njëjtën skenë, me të njëjtën dejavu braktisjesh…
E kishte braktisur… ende pa e patur..
Lea kishte flokë të derdhur ngjyrë gruri, të ondëzuara natyrshëm. Ngjyrën e syve nuk ia kishte dalluar dot edhe pse makina e tij me xhama të errët kishte qëndruar shume afër oborrit të shtëpisë.
Ajo ishte e bukur.
Lea ishte e bukur dhe …natyrisht që duhej të kishte edhe ije të bukura… vetëm se… ai nuk mundi t’i shikonte… sepse ajo qëndronte e ulur…
E ulur… në një karrocë invalidësh…
Lea ishte e paralizuar…