Nuk e di nëse ndonjë prej jush ka tentuar “të bezdisë” ish-të dashurën apo ish-të dashurin pas ndarjes, duke i dërguar ndonjë SMS të çuditshëm apo duke i bërë ndonjë zile pa numër…
Gjithsesi, besojmë se vendin e parë e zë një 22-vjeçar nga Los Angeles (SHBA), i cili krijoi plot 130 profile të ndryshëm në Facebook, me qëllim që të hakmerret ndaj ish-të dashurës së tij 16-vjeçare.
Tashmë ai po përballet me dy akuza, sipas ligjit të ri që u vu në fuqi në Kaliforni më 1 janar 2011. Akuzat janë: falsifikim identiteti në internet dhe shqetësim telefonik.
22-vjeçari arriti t’i shpëtonte dënimit 1-vjeçar me burg, duke pranuar të ndjekë seminare për të kontrolluar inatin si dhe mësime për sjellje seksuale, ndërkohë që për 5 vjet do të mbahet nën mbikëqyrje.
Por çështja është që në kohët ku jetojmë, duhet të tregojmë më shumë kujdes nga gjithë këto rrjete sociale sepse interneti po kthehet në një xhungël on line.