Të sëmurët nga sëmundjet kardiovaskulare duhet të zgjedhin me kujdes ambientin së ku jetojnë. Këshillat e mjekëve janë të shumta, ku kryesorja është të evitohen sa më shumë ato ambiente, ku ndotja e ajrit është më e theksuar. Si shkaktari kryesor i infarktit njihet mungesa e furnizmit me oksigjen së bashku me gjakun në qelizën muskulore, por kjo në zonat me ndotje të lartë ësthë edhe më e theksuar. Për këtë mjekët këshillojnë të përdoren ecjet në ambientet me ajër të pastër.
Ambientet e ftohta e të ngrohta, pasojat
Por edhe të ftohtët është një ndër shkaktarët kryesorë për probleme tek të sëmurët me zemër. Nëse një i sëmurë del nga një ambient i ngrohtë në një ambient të ftohtë, kryesisht në dimër ndiejnë menjëherë dhimbjen e gjoksit. Më i rrezikshëm për shëndetin është moti i ftohtë, se sa temperaturat e ngrohta, por këtu përjashtohet gjithmonë piku i vapës. Shumë persona gjatë periudhës së dimrit shtojnë konsumin e pijeve alkoolike. Të përdorësh alkoolin për të përballuar të ftohtin nuk është aspak mënyra e duhur.
Kjo është këshilla e parë e nevojshme për të gjitha moshat, pavarësisht nëse janë të sëmurë nga zemra. Konsumimi i tepërt i alkoolit dhe i më shumë se një kafeje në ditë nga të rinjtë dhe moshat e tjera është krejtësisht i rrezikshëm për shëndetin dhe kryesisht për zemrën e tyre. Nëse teprohet me alkool dhe kafe, që kryesisht preferohet nga të rinjtë, të rrahurat e zemrës do të shtohen, duke ngritur tensionin e gjakut dhe shkaktuar në këtë mënyrë edhe kriza zemre.