Populli ynë, i pasur në ide, i aftë per t’i tipizuar, i aftë për përgjithësime të drejta, vërejtjet dhe mendimet e tij rreth botës ose fenomeneve të saj, dëshirat dhe luftën për të sunduar mbi forcat e natyrës, qëndrimin dhe gjykimet e tij rreth marrëdhenieve në shoqëri i ka shprehur me anën e përrallave, fabulave, anekdotave, të cilat përbëjnë një pasuri shumë të madhe dhe të rëndësishme të folklorit tonë. Ai ka krijuar faqe të mrekullueshme me larmi të madhe motivesh, me një numër të madh personazhesh, me bëmat e të cilëve kemi shëtitur në një botë plot me çudira, ku enden pa frikë njerëzit e mirë duke luftuar vazhdimisht kundër të keqes, për të gjetur lumturinë.
Me ngjarjet që shtjellohen në prozën popullore populli na vë në kontakt me kushtet e prapambetjes dhe të pamundësisë për të përballuar fenomenet e egra të natyrës në kohërat më të hershme e më të errëta, na vë në kontakt me kushtet shoqërore në kohëra të ndryshme historike. Në thelbin e tregimeve popullore qëndron realiteti jetësor, lufta e vendosur dhe optimizmi. Me art të madh ka krijuar figura tipike me vlera të larta morale, figura të fuqishme heronjsh, të cilët si përfaqësues të forcave që protestojnë energjikisht kundër së keqes, luftojnë të papërkulur dhe triumfojnë.
Kërkimet rreth prozës sonë popullore kanë filluar aty nga gjysma e shekullit XIX. Gjashtë përrallat e para shqipe i ka botuar albanologu i njohur Hahn ne “Albanesische Studien” me 1854. Me 1875 folkloristi Italian Pitre botoi 12 përralla arbëreshe.
Por ai që shquhet nga të parët për kërkime rreth prozës popullore shqiptare është Thimi Mitkoja. Me përrallat që ka botuar më 1878, në vëllimin e përmendur “Bleta Shqiptare” ato që u gjetën në dorëshkrimet e tij në Pragë, me 1950 dhe ato që kane botuar të tjerë, por që ja u kishte derguar Thimi Mitkoja, ai ka mbledhur rreth 36 përralla dhe anekdota. Mitkoja shquhet për kërkime dhe botimet e tij të prozës, për kujdesin e madh që ka treguar në zgjedhjen dhe transkriptimin e tyre, për kërkimin e tregimtarëve të aftë. Gjithashtu francezi August Dozon me 1879 ka botuar 25 përralla.
Midis viteve 1885-1886 revista arbëreshe “Fjamuri i Arbërit” botoi disa përralla arbëreshe. Midis mbledhësve të huaj shquhet Holger Pedersen, i cili më 1895 botoi ne vëllimin “Albanesische Text emit Glosar” 12 përralla, mbledhur ne Çamëri. Pederseni dallohet për kujdesin e madh që ka treguar në redaktim, duke ruajtur të gjitha elementet gjuhësore, si dhe te tregimit. Gjithashtu me 1881-1883 J.U.Jarnik, albanolog çek, botoi 38 tregime shkodrane. Në koloninë shqiptare të Borgo Ericis, Dalmaci, ka mbledhur e botuar më 1937 tri tregime linguisti Italian Tagliavini. Më 1936, në vëllimin “Folklor shqiptar” janë botuar 11 tregime. Më 1939 u botuan në vëllimin IV te serisë së “Visareve të Kombit” 26 përralla.
Një botim më i plotë i përrallave shqipe u bë më 1942 në dy vëllime “Përralla Kombëtare”, ku përfshihen 25 fabula, përralla dhe anekdota.
Për tregimin shqip është treguar edhe një farë interesi në shkallë europiane. Këtë e tregojnë disa botime në gjuhë të huaj. J.G.Hahn, më 1864, për qëllime studimi botoi një përmbledhje në gjermanisht me përralla shqiptare. Francezi Dozon me 1881, përrallat e vëllimit të sipërpërmendur i botoi edhe në frëngjisht.
Albanologu i degjuar Maksimilian Lamberc, i cili më 1922, në vëllimin “Zëischen Drini und Voiussa” botoi 19 përralla shqipe, më 1954- 1955 në librin “Geflugelte Schvester” botoi të përkthyera në gjermanisht mjaft përralla shqipe. Më 1955 u përkthyen në hungarisht përrallat e vëllimit “Përralla popullore shqiptare” botuar më 1954 nga komisioni i Folklorit prane ish Institutit të Shkencave.
Puna më e mirë kërkimore në lëmin e prozës popullore, u bë mbas vitit 1944, domethënë mbas Çlirimit të Shqipërisë. Ekspeditat vjetore duke nisur që nga viti 1949 patën përfundime shumë të mira. Shtrirja e kërkimeve me ndihmën e bashkëpunëtorëve të jashtëm, jo profesionistë, në zona të paeksploruara fare, e pasuroi arkivin me fond të ri subjektesh, motivesh dhe personazhesh. Kërkimet u bënë kudo, si në Kavaje, Devoll, Myzeqe, Kurvelesh, Përmet, Krujë, Kukës, Dibër, zona të cilat ishin pothuaj fare të pakërkuara. Këto kërkime kane treguar se tekstet e botuara më parë nuk kanë mundur përfaqësojne veçse një pjesë të prozës popullore shqiptare. Tekstet dibrane (40) të dorëshkrimit “Rranzë Votrës Dibrane” të Haki Stërmillit, 40 përralla mbledhur nga Shqfqet Hoxha në Lumë, tekstet e mbledhura ne Mat, në Skrapar, në Bregun e Detit kanë plotësuar një boshllëk të ndjeshëm.
Gjatë këtyre kërkimeve doli në dritë se proza popullore jeton e freskët në kujtesën e popullit tonë. Megjithë ndryshimet e mëdha shoqërore, me gjithë zhvillimin e madh të shkencës dhe teknikës, përralla vazhdon të argëtojë fantazinë e të vegjëlve, të ushqejë kuriozitetin e të mëdhenjve me ato mrekulli të çuditshme, edhe pse si të rriturit edhe të vegjëlit i bën të qeshin nën buzë. Krejt ndryshe ndodh me anekdotën. Ajo ështe kripa e bisedës së përditshme të njerëzve. Me vetinë e saj për të goditur veset, me mprehtësinë e tregimit e të ndërtimit, mbetet një armë e fuqishme edukative dhe e shumëanshme, i adaptohet lehtë aktualitetit, duke mbetur vazhdimisht si ushqim i një të qeshure të madhe nga zgjidhjet e saj të papritura si dhe aftësinë për të tërhequr pas vetes të gjitha moshat.
Proza popullore ështe e shumëllojshme. Në gjininë e saj hyjnë gojëdhanat, përrallat, fabulat dhe anekdotat, të cilat si nga motivet, ashtu dhe nga mënyra e shtjellimit të tyre, dallohen nga njera-tjetra.