Dinosaurët i zhduku “fati i keq”
Ishte një kombinim fenomenesh natyrore, atmosferike dhe natyrisht goditja përfundimtare; ajo e asteroidëve që çuan në zhdukjen e dinosaurve 66 milion vite më parë.
Një grup prej 11 shkencëtarësh britanikë, amerikanë dhe kanadezë mbërritën në përfundimin se dinosaurët mund t’i kishin mbijetuar asteroidëve nëse Toka do të ishte goditur prej tyre në një diferencë kohore prej pak miliona vitesh, para ose pas momentit kur mendohet se ata kanë rënë në tokë.
Shkencëtarët mbërritën në këtë rezultat pas një studimi disa-vjeçar. Ata thonë asteroidët i gjetën dinosaurët në momentin më të dobët të tyre, kur toka ishte e pushtuar nga një aktivitet i lartë vullkanik dhe sizmiologjik dhe kur niveli i ujërave të oqeaneve ishte rritur ndjeshëm.
Nëse aseroidët do të godisnin tokën disa miliona vite para ose pas, atëherë kur planeti të ishte stabilizuar, kur aktiviteti vullkanik dhe ai sizmiologjik do të ishte normal, atëherë dinosaurët me shumë gjasa, thonë shkencëtarët, do të kishin mbijetuar.
“Pesë milion vite para goditjes dinosaurët ishin më të fortë, zinxhiri ushqimor ishte më stabël dhe ishte e vështirë të zhdukje një specie. Ndoshta po të kishin edhe disa miliona vite kohë për të rimëkëmbur diversitetin e tyre, ata do të kishin mundësi më të mira për të mbijetuar”, thotë Steve Brusatte, shkencëtar i Universitetit të Edinburgut dhe pjesëtar i grupit prej 11 vetash që ndërmori studimin.
Dr. Brusatte dhe bashkëpunëtorët e tij në studimin voluminoz të botuar në revistën “Biological Reviews” mendojnë se nëse asteroidët do të kishin rënë në një moment tjetër me diferencë kohore prej pak miliona vitesh, dinosaurët do të ishin akoma padronë të Tokës.
Ne apo ata? Shkencëtarët besojnë se ne nuk do të ekzistonim në një skenar të tillë. Ata thonë se nga zhdukja e dinosaurve “zunë mend” mamalët, përfshirë njeriun.
Mendohet se dinosaurët mbretëruan në Tokë për më shumë se 160 milion vite ku kanë evoluuar duke i shpëtuar zhdukjes…deri në momentin e goditjes së asteroidëve. / Top Channel