Goditjet e tensionit të gjakut, mjeku shpjegon si ndikon vaji i ullirit
Personat që përfshijnë më shumë vaj ulliri tek ushqimet e tyre janë më pak të rrezikuar të pësojnë një ishemi apo goditje të tensionit të gjakut, njofton një studim francez, duke zgjeruar kështu mundësinë e një lidhjeje mes vajit të ullirit dhe sëmundjeve të gjakut apo të zemrës.
Studimi ku u monitoruan të moshuar francezë për mëse pesë vjet, zbuloi se njerëzit që përdornin më shumë vaj ulliri kishin 41 për qind më pak shanse për të pësuar një ishemi, sesa ata që nuk e përdornin fare.
"Rezultatet sugjerojnë një rol mbrojtës të sasive të bollshme të vajit të ullirit për goditjet e tensionit në subjektet më të moshuar",- shkruante drejtuesja e studimit Cecilia Samieri e institutit kombëtar francez të kërkimeve INSERM, në revistën mjekësore “Neurology”.
Në studim u përfshinë 7 625 adultë të moshave 65 dhe më të vjetër të cilët raportonin dietat e tyre dhe faktorë të tjerë të stilit të jetesës. Njerëzit që thanë se përdornin vaj ulliri si në gatim edhe në ingredientë, u konsideruan si "përdorues intensivë."
Pas analizave, duke përshtatur dhe rezultatet për stilin e jetesës, përdorimi i bollshëm i vajit të ullirit kishte lidhje me një masë prej 41 për qind të reduktimit të rrezikut të ishemisë.
Grupi i punës së Samieri-t kishte marrë gjithashtu mostra gjaku nga 1.245 subjekte të tjerë të moshuar, për të matur nivelet e tyre të acidit oleik, acidi që gjendet në vajin e ullirit, si dhe në një numër kokrrash bërthama të ngrënshme.
Përfundimisht, një e treta e pjesëmarrësve me nivele të larta të acidit oleik kishin 73 për qind më pak shanse për të vuajtur nga një ishemi, sesa një e treta e atyre me nivele të ulëta të acidit.
Por studime të tjera nevojiten, tha Nikolaos Scarmeas, i Universitetit Columbia në Nju Jork, i cili ka shkruar një editorial të botuar së bashku me studimin.
"Ne duhet të kujtojmë se ky është vetëm një studim observues",- tha ai për Reuters Health, duke paralajmëruar se, megjithëse studimi dëshmoi për lidhjen mes vajit të ullirit dhe ishemisë, ato nuk përkthehen domosdoshmërisht në reagim shkak-pasojë.
"Njerëzit që përdorin shumë vaj ulliri mund të jenë shumë të ndryshëm nga ata që nuk e përdorin shumë",- tha ai, duke shtuar se ata mund të kenë më shumë të ardhura, të hanë më mirë apo edhe të stërviten më shumë.
Grupi i Samieri nuk u përpoq të balanconte këto diferenca të tjera, por gjithsesi vaji i ullirit ishte një faktor domethënës pozitiv.
Scarmeas tha se ishte e pamundur të merreshin parasysh të gjithë faktorët dhe se më shumë studime nevojiteshin për të studiuar avantazhet e mundshme të vajit të ullirit.
Edhe studime të mëparshme kanë treguar se e ashtuquajtura "dieta mesdhetare" – e cila përfshin shumë fruta, perime, bërthama, vajra vegjetalë si ai i ullirit, dhe peshku, ndihmon në shëndetin e pacientëve të zemrës.
Studimet kanë treguar gjithashtu, se kjo dietë mund të ndihmojë njerëzit të ulin rrezikun e diabetit.