Prej 45 vitesh kjo shtëpi e vogël ka arritur ti mbijetojë çdo fenomeni natyror. E vendosur mbi shkëmb në mes të lumit Drina në Serbi, shtëpia u ka mbijetuar stuhive, rrjedhave të forta dhe erërave të furishme.Struktura në fjalë ndodhet në qytetin Bajina Basta, në Serbi dhe është bërë objekt tejet tërheqës për turistët në zonë.
Ideja për ndërtimin e saj erdhi në vitin 1968 kur një grup të rinjsh notonin në lumë dhe kishin nevojë për një vend për të pushuar. Ata gjetën shkëmbin dhe ndalonin mbi të dhe gradualisht këtë vend pushimi e bënë më të rehatshëm. Njëri nga notarët e mori seriozisht këtë ide ndaj krijoi një projekt për të ndërtuar shtëpinë-dhomë. Materialet për ndërtimin e saj janë transportuar me anije të vogla. Shpesh kjo shtëpi quhet si ishulli i lumit Drina, ndërsa shkëmbi quhet si oazë unike e natyrës.