Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano, mori një vendim të papritur pas dështimit leaderit të majtë, Pier Luigi Bersani për krijimin e qeverisë.
Kreu i shtetit vendosi krijimin e dy grupesh pune që do të kenë për detyrë gjetjen e propozimeve programatike të mbështetura nga partitë rreth të cilave do të krijohet më pas qeveria.
Ai nuk harroi të theksojë se qeveria e Monti është ende në funksion të plotë. Me këtë manover që befasoi forcat politike, Giorgio Napolitano përgënjeshtroi zërat që qarkulluan në mëngjes mbi një dorëheqje të tij të parakohshme.
Një zgjidhje e tillë është ndjekur edhe në Hollandë, ku pas 44 ditësh konsultimesh pa rezultat, u vendos për krijimin e një qeverie me bazë të gjerë.
Dy grupet e punës, njëri me profil politiko-institucional dhe tjetri ekonomiko-social, do të marrin detyrën ditën e martë të javës së ardhshme.
Dy rrugët e tjera që mund të ndiqtë presidenti i republikës, mbeteshin gjithsesi zgjidhje shumë të dobëta.
Nëse Napolitano do të vendoste për një qeveri të caktuar prej tij, pas 15 ditësh, me fillimin e votimeve për zgjedhjen e presidentit te ri, ajo do të kthehej në një qeveri të askujt.
Po ashtu një dalje e tij nga skena përpara kohe do të shkaktonte një reagim të ndjeshëm negativ të tregjeve.
Me sa duket pikërisht vështirësitë ekonomike dhe një sërë nevojash urgjente të vendit e kanë shtyrë presidentin e republikës në marrjen e këtij vendimi.
Vendim ky që me sa duket është mbështetur jo vetëm nga partitë por edhe nga Komisioni Europian.