Demonstratat e vitit 1981, hyjnë në radhën e ngjarjeve nyje, ngjarjeve më të rëndësishme të historisë bashkëkohore të Kosovës, sepse krijuan vetëdije të lartë politike dhe ndërgjegje kombëtare, tha kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në Akademinë e organizuar me rastin e shënimit të 31 vjetorit të Demonstratave të vitit 1981.
“Gjenerata e 1981-ës është meritore në përqafimin e të gjitha formave të rezistencës dhe pjesë përbërëse e mbështetëse e të gjitha proceseve që çuan në krijimin e kushteve për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës”, theksoi kryeministri Thaçi.
“Viti 2012 është i rëndësishëm për qytetërimin shqiptar, vit i njëqind vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Është vit i përmbylljes së mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës. Në dritën e këtij përvjetori çdo ngjarje e rëndësishme, e vjetër ose e re, merr shkëlqim të ri, jep shkas për reflektim filozofiko - politik, rizgjon mesazhet dhe përkufizohet më mirë thelbi i tyre historik. Dhe në frymën e këtij 100 vjetori, sot shënojmë përvjetorin e 31 të Demonstratave të vitit 1981, si kapitull i ndritur në fondin e artë të historisë moderne të shqiptarëve”.
“Pas Luftës së Dytë Botërore Kosovën e prisnin iluzione të thyera. Në vend të paqes, barazisë dhe zhvillimit Kosova përjetoi gjendjen e adminstrimit ushtarak. Rreth dyzetmijë forca ushtarake anembanë Kosovës likuiduan dyzetmijë shqiptarë, duke goditur në pjesën më vitale të substancës kombëtare. Degradimi kushtetues i Kosovës, prapambeturia ekonomike, varfërimi i qëllimshëm, ndjekja dhe shpërngulja e shqiptarëve u bën program strategjik i Beogradit zyrtar. Por edhe në kulmin e kësaj periudhe të errët, zëri kundërshtues ndaj robërisë, shtypjes dhe diskriminimit nuk u shua asnjëherë”.
“Në burgjet serbe dhe jugosllave, një shkrimtar i ri ishte shndërruar në sinonim të kundërshtimit të sundimit të Kosovës. Ishte Adem Demaçi, të cilin me të drejtë historiani britanik Noel Malcolm, e quan: kryeveprimtari për ndarjen e Kosovës nga Jugosllavia”, tha ndër të tjera kryeministri i Kosovës. /Telegrafi/